Nga Eliza Gjediku
Reshjet e munguara të pranverës së këtij viti e ulën sasinë e energjisë së prodhuar nga hidrocentralet. Në tre muaj prill, maj, qershor është prodhuar në total 1.841 gigavat/orë energji, ose 18.9% më pak se në vitin 2023, kur në të njëjtën periudhë u prodhuan 2.269 gigavat/orë.
Referuar shifrave të INSTAT, 48.6% e energjisë së prodhuar ishte nga HEC-et private dhe koncesionare ndërsa pjesa tjetër prej 44.6%, u prodhua nga Kaskada e Drinit me hidrocentralet e Fierzës, Vaut të Dejës dhe Komanit.
Në këtë tremujor është disafishuar energjia e prodhuar nga impiantet fotovoltaike. Nga 26.161 megavat të prodhuara në tremujorin e dytë të vitit të kaluar sasia energjisë së prodhuar nga fotovoltaikët këtë vit ishte 124.783 megavat.
Në këtë periudhë të vitit është ulur konsumi i energjisë sipas INSTAT. Familjarët dhe bizneset në këtë tremujor konsuamuan në total 1.475 gigavat energji, nga 1.479 gigavat të shpenzuara vjet.
“Në rënien e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët kanë ndikuar konsumatorët jo familjarë, ku kemi një ulje të konsumit të energjisë elektrike me 2,3%, ndërsa energjia e konsumuar nga konsumatorët familjarë është rritur me 2.1%”, thuhet në raportin e INSTAT.
Si rezultat i rënies së prodhimit në këtë tremujor është rritur me 75.2% importi i energjisë, ndërsa eksporti ra me 15.4%. Si pasojë e defekteve teknike, jo teknike por edhe për shkak të konsumit vetjak, në këtë tremujor të dytë u humbën 323 gigavat orë energji e prodhuar, me rënie prej 10% krahasuar me vjet.