Ben Andoni: Varfëria është më e shpejtë se Akili! – Shqiptarja.com

Ben Andoni: Varfëria është më e shpejtë se Akili! – Shqiptarja.com

Ben Andoni 

Ardhja nga sistemi i pas Luftës së Dytë në Shqipëri, që predikonte barazitizmin, por që krijoi me kalimin e viteve hendeqe shoqërore, është shndërruar në një sistem të pas viteve ‘90, ku të pasurit sot kanë të përqendruar në duar 98 për qind të depozitave bankare të shqiptarëve, referuar agjencisë së sigurimit të depozitave, alarmonte një prej kryetarëve më të rinj të partive shqiptare.

Sesa janë 2 % e shqiptarëve të pasur, kjo është një kërkesë tjetër statistikore, që nuk është e sqaruar. E megjithatë, sikur të mos mjaftojë kjo, është krimi që po sfidon hapur. Drejtësia e Re, me një ritëm breshke, nuk “e kap” dot ende prej brirësh problemin financiar, që lidhet me ndërtimin dhe që po e sfidon hapur. Të buzëqeshur, zakonisht me diplomatët amerikanë dhe britanikë, drejtuesit e SPAK-ut mëtojnë se do të vazhdojnë punën dhe shfaqen të bindur në udhën e tyre!

Në orët e fundit, dosja hetimore e SPAK e nxjerrë në media tregon se vetëm për vitin 2020, grupi kriminal i Çopjave ka futur në Shqipëri rreth 7.5 milionë euro, të investuara për ndërtimin dhe blerje ndërtimesh. Ajo që të lind realisht si pyetje është: Nëse një grup i vetëm është i aftë për të proceduar me këtë sasi parash, sa është sasia që sjellin grupet e tjera dhe akoma më shumë: si është ky fenomen në ekonomi? Politikanët heshtin, ndërsa në erën Rama është shpallur si sfidë ndërtimi, paçka se socialistëve u është bërë e qartë nga shifrat ekonomikë, që bumi i ndërtimeve nuk i përgjigjet më kërkesës. Ndaj, logjikisht, arsyeton se nuk do të jetë e largët dita, kur në listëpagesat e këtyre bizneseve të dalin emra politikanësh.

Por pse nuk tremb vallë SPAK-u këtë fashë të vogël, por kaq potente?! Lejet e ndërtimit të miratuara në mbledhjet e fundit të Këshillit të Territorit tregojnë se ata nuk kanë pse të tremben, kur kompani anonime, përfshihen në ndërtime të mëdha dhe sfiduese. Kompanitë e vjetra e kanë humbur me kohë sfidën e tyre në kohët e reja, kur politikanët po sfidojnë hapur.

Ky ishte një aspekt i pabarazisë, por po të shikosh mënyrën e ndarjes së pasurisë kombëtare, atëherë trembesh. Ekonomia kombëtare nuk ka prodhuar mirëqenie. Shqipëria mbetet me të ardhurat dhe fuqinë blerëse më të ulët në Evropë, sipas Eurostat. Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Evropian. Ky tregues konsiderohet nga më të ulëtit në Evropë. Në teoritë ekonomike flitet shumë për mallkimin e “Vendit të pasur” me asete natyrore. Shqipëria është dëshmia e këtij përcaktimi, pasi e bekuar për pasuritë e shumta natyrore në raport me popullsinë dhe sipërfaqen, ku jo më kot shpesh e krahasojnë me Zvicrën, sërish vijon të mbetet ndër më të varfrat në Evropë.

Të mendosh se kemi hapësirën më të madhe naftëmbajtëse në kontinent në Patos-Marinzë, por edhe pas vitesh të tëra, kompania që e shfrytëzonte me koncesion nuk paguante tatimfitimin!!! Për rezervat ujore (paradoksalisht shumë qytete tonat s’kanë ujë 24 orë dhe jo vetëm kaq) krahasohet me vendet skandinave. Kurse për burimet e kromit (me atë u përballua bllokimi në kohën e socializmit) tashmë kemi viktima të shumta prej shfrytëzimit pa kriter dhe deri në babëzi dhe konflikte të fortësh, që nuk mbarojnë. Importojmë çdo vit energji, paçka hidrocentraleve të mëdhenj, pasi nuk dimë ende të diversifikojmë si duhet energjinë. Të mendosh, vendi ynë me gati 300 ditë me diell dhe asete natyrore eolike importon në vit mesatarisht 20-50% të energjisë që na nevojitet (Monitor, 2024).

Pse nuk reflektohet ky zhvillim marramendës dhe efekti lëbyrës, që përcjell qeveria Rama & Co?! Ka një postulat dhe ky është rasti i Shqipërisë, megjithëse ne nuk futemi ende në manualet dhe studimet ekonomike. ”Vendet me treguesit më të ulët të të ardhurave për frymë kanë trendin të kenë vlerat më të këqija të zhvillimit njerëzor”, shkruan Ruchir Sharma tek ”Ngritja dhe rënia e kombeve”, një libër ardhur edhe në shqip. Indeksi i hartuar nga Kombet e Bashkuara i quajtur HDI (Human Development Index) liston vendet në bazë të disa parametrave: Arsim (vitet e shkollimit), shëndetësi (pritshmërinë e jetëgjatësisë), infrastruktura themelore (mundësia për ujë dhe për elektricitet).

Shqipëria është ndalur pas në Indeksin e Zhvillimit Human, HDI, për vitin 2023 duke humbur 7 vende në renditje dhe 0.07 pikë. Sot, renditet në vendin e 74-të nga 191 dhe vlerësohet me 0.789 pikë. Kjo është renditja më e ulët në më shumë se 5 vitet e vendit. Edhe pse indeksi nuk reflekton shumë mbi pabarazitë, varfërinë, sigurinë njerëzore, fuqizimin, etj., ai mund të tregojë një panoramim për situatën e një vendi.

Pra, në një vend kaq të begatë, shqiptarët kanë probleme deri me nevojat minimale për të jetuar. Organizata Botërore e Ushqimit (FAO) llogarit se një personi që jeton në Shqipëri i duhet të harxhojë 4.4 USD në ditë (sipas indeksit të fuqisë blerëse) vetëm për ushqim, për të plotësuar nevojat e një diete normale, që është kosto e lartë në Evropë dhe në rajon.

Dhe, indikacioni tjetër është më shqetësues, pasi nxjerr se një familje që shpenzon mbi 40% të buxhetit për t’u ushqyer, nga 13% që është mesatarja e Bashkimit Evropian nënkupton që ka pak të ardhura në dispozicion dhe ato i çon fillimisht për ushqime e shërbime të tjera të domosdoshme, duke i mbetur fare pak për të shijuar jetën (Monitor, 2024). Në qershorin 2024, botimi i fundit i UNICEF ishte trandës: ”Varfëria ushqimore në fëmijërinë e hershme” tregoi se: Shqipëria ka 18% të fëmijëve poshtë 5 vjeç të privuar rëndë nga dieta ushqimore dhe 29% e fëmijëve janë në varfëri të moderuar (Total 47%)!!!

Teorikisht, një shtet nuk është i pasur nga shumëllojshmëria e burimeve natyrore, që ne ia atribuojmë me të drejtë vendit tonë, por cilësisë së politikëbërjes. Dhe, fatkeqësisht, megjithëse tam-tamet e qeverisë së sotme Rama dhe paraardhëses së saj Berisha shifrat e tregojnë qartë që vendi nuk po menaxhohet në udhën e duhur për rritjen e mirëqenies së popullatës, por mbetet një lloj pengu kaotik, ku jo pak herë shihen interesat e një pakice të caktuar. Mandela kur iu desh të fuste vendin e tij në hulli pa atë që i druhej, se ishte politika që e pengonte përparimin dhe ushqente varfërinë cilësoi me të drejtë: ”Varfëria nuk është një aksident. Ashtu si skllavëria dhe aparteidi, ajo është krijuar nga njeriu dhe mund të hiqet nga veprimet e qenieve njerëzore”.

Në një aspekt optimist, do të ishte e lehtë që ta bënte politika shqiptarë ndryshimin. Por, varfëria është më e shpejtë se politika, paçka se kjo e fundit mund të ndryshojë. Qysh në lashtësi, në të ashtuquajturat Paradokset e Zenonit, pikërisht tek “Akili dhe breshka” shkruhej: “Në vrapim, vrapuesi më i shpejtë asnjëherë nuk mund ta kalojë më të ngadalshmin (nëse niset nga një pikë pas tij), sepse ndjekësi në fillim duhet të vijë në pikën ku i ndjekuri ka qenë sipas kësaj më i ngadalshmi ka gjithmonë një përparësi” (Aristoteli). Shndërroje paradoksin e “Akilit dhe Breshkës” në “politika dhe varfëria” dhe do kuptosh pse Zenoni mund të provohet dhe sot në Shqipëri: Pra, Akili s’e kap dot varfërinë dhe jo më ta frenojë!!