Eliza Gjediku – Report Tv
Nga sot të gjithë fermerët apo grupe fermerësh që janë të regjistruar si biznes me nipt sipas ligjit mund të aplikojnë për të përfituar nga skema kombëtare e investimeve në bujqësi.
Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj njoftoi se aplikimet do të jenë të hapura 5 javë, dhe për investimet që ata do të bëjnë do të përfitojnë 50% grant nga buxheti i shtetit.
“Kemi mundësuar një fond prej 1.5 mld lekësh në formën e një granti prej 50% për investimet kryesore në veçanti në ndërtimin e serrave diellore, në rritjen e mekanikës bujqësore, në rrjetat antibreshër, në nxitjen dhe zhvillimin e akuakulturës detare dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve. Skema do të jetë përgjatë 5 javëve e hapur për të gjithë përfituesit nga veriu në jug nga lindja në perëndim dhe për këtë ne do të nisim një komunikim të drejtpërdrejtë intensiv në 12 qarqet e vendit”, shprehet Denaj.
Ministrja tha se kjo mbështetje ka për synim të nxisë edhe më shumë zhvillimin në bujqësi, si një nga sektorët kryesor të ekonomisë së vendit.
“Është një Skemë Kombëtare, që vijon skemën e fillimit të vitit, të subvencioneve të drejtpërdrejta dhe kështu kompleton një cikël të mbështetjes financiare, që Qeveria Shqiptare ka dhënë dhe jep për një sektor shumë të rëndësishëm, i cili jo vetëm angazhon një numër të konsiderueshëm punonjësish, por mbi të gjitha është një motor i zhvillimit të ekonomisë tuaj familjare, ekonomisë së përgjithshme shqiptare dhe na bën krenar sot në 80 tregje elitare”, tha Denaj.
Synimi i skemës së investimeve është rritja e prodhimit vendas, jo vetëm në bujqësi e blegtori por edhe peshkim, deri në 20% sipas Ministrisë së Bujqësisë.