Impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Shënavlash të Durrësit zgjeron hartën e mbulimit me shërbim, duke grumbulluar edhe ujërat e ndotura të zonave që nuk kanë pasur rrjet kanalizimesh. Drejtori i impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura Sed Hasa thotë se tashmë në këtë impiant po trajtohen edhe ujërat e ndotura të fshatit Shënavlash, pjesë të Shkozetit dhe Spitallës, ndërkohë që së shpejti do të realizohet edhe lidhja e kanalizimeve të ujërave të ndotura e lagjës së re të Spitallës ku janë ndërtuar 990 apartamente të reja me fonde të rindërtimit.
Impianti i Shënavlashi filloi punë në vitin 2013 dhe aty trajtohen ujërat e ndotura të zonës turistike nga Shkëmbi i Kavajës deri tek Ura e Dajlanit si dhe lagjet e qytetit të Durrësit. Aktualisht në këtë impiant trajtohet një sasi prej 24-25 mijë metra kub ujëra të ndotura duke bërë që çdo gjë të funksionojë normalisht. Mënyra e funksionimit të tij është me anë të trajtimit të llumit aktiv duke reduktuar azotin dhe fosforin, ndërkohë që ka një trajtim kimik dhe biologjik. Në impiant punon një staf i kualifikuar inxhinierësh dhe specialistësh, ndërkohë që kryhen rregullisht analizat laboratorike duke monitoruar cilësinë e ujit në hyrje dhe në dalje. Pas trajtimit, ujërat shkarkohen në lagunë dhe përfundojnë në det tërësisht të pastra.