Në kohë dhe hapësirë me artistin shkodran Lek Gjeloshi, projekti ‘Annotazioni video’ në edicionin e shtatë

Në kohë dhe hapësirë me artistin shkodran Lek Gjeloshi, projekti ‘Annotazioni video’ në edicionin e shtatë

Nga Blerina Goce – Report Tv

Lek Gjeloshi është artisti shqiptar, puna e të cilit u prezantua në takimin e shtatë të “Annotazioni Video” në qendrën e artit “Agimi” në Tiranë.

I organizuar nga Instituti Italian i Kulturës, aktiviteti solli para të pranishmëve videon “Aphelion” të Gjeloshit, një punë e konceptuar si një lloj instalacioni e përbërë nga tre video, që kanë të bëjnë me kohën dhe hapësirën.

 “Annotazioni Video është një projekt i Institutit Italian të Kulturës i kuruar nga Stefano Romano, i cili në harkun e tre viteve synon të reflektojë mbi dinamikat e zhvilluara në kërkimet e disa prej protagonistëve të artit bashkëkohor italian e shqiptar, që kanë si fill bashkues videon. Ky është takimi i shtatë i këtij projekti”, tha Alessandro Ruggera, Drejtues i Institutit Italian të Kulturës.

“Këtë mbrëmje do të prezantojmë tre video, që kanë të bëjnë me kohën dhe hapësirën. Video e parë është një video me një kanal, e dyta: video me dy kanale dhe e treta me tre kanale. I kemi vendosur këto video, duke i menduar edhe si një lloj instalacioni”, tha Stefano Romano, kurator i “Annotazioni video”

xr:d:DAFHIS1sBDU:5,j:32084174045,t:22080311

Shfaqja e videos së Gjeloshit u ndoq nga një bashkëbisedim mes artistit dhe kuratorit Stefano Romano. Në këtë bashkëbisedim është folur për perceptimin e kohës dhe atë se si rrjedha e saj perceptohet, mund të zhvendoset apo manipulohet nga artisti, për të krijuar hapësira të përkohshme, apo duke reflektuar mbi këto koncepte.

Pikërisht në këtë rrjedhë, Gjeloshi ka ndarë për të pranishmit edhe një moment interesant nga fëmijëria e tij dhe asaj që mund ta cilësojmë si fillesë të krijimeve të tij.

 “Unë vij nga piktura. Dizenjon e parë që kam bërë në jetën time ka qenë një Porsch. Duhet të kem qenë tre vjeç e gjysmë apo katër. Arsyeja pse kam dizenjuar një porsh lidhej me atë që babai im ishte ai që bënte makinat e byrosë dhe ishte një mjeshtër i madh. Kur makinat dëmtoheshin, ai i riparonte, por bënte dizenjo ‘leonardeske’ mbi këto detaje dhe unë isha thellësisht i tërhequr dhe kopjoja dizenjot e tim etI”, tha artisti Lek Gjeloshi

Lek Gjeloshi është një artist shqiptar nga Shkodra, aktiviteti multimedial i të cilit eksploron efektet tjetërsuese të hapësirave në limb. Veprat e tij janë ekspozuar në disa ekspozita individuale dhe institucionale në Itali, në Francë, në Moskë etj.