50 vepra të Bujar Zajmit për herë të parë në një ekspozitë

50 vepra të Bujar Zajmit për herë të parë në një ekspozitë

Janë 50 vepra të paekspozuara më parë nga krijimtaria e Bujar Zajmit, të cilat shfaqen për publikun në të parën ekspozitë pas ndarjes së tij nga jeta dy vite më parë.

“Bzaj ‘24” është çelur në AZK Academy nën kujdesin e vajzës së artistit, piktores dhe stilistes Anila Zajmi.

Veprat janë punë që artisti i ka krijuar pas vitit 1990 dhe që kanë karakter të ndryshëm nga pikturat e prezantuara në ekspozitat e mëparshme.

“I jam larguar qëllimisht prezantimit të tij në etnografi. Ka pak vepra të këtij lloji dhe jam përqendruar te veprat me karakter më të veçantë: më modern, më intim, më simbolik”, thotë Anila Zajmi, e bija e Bujar Zajmit.

Punët e Zajmit shfaqin në një aspekt tjetër të panjohur të krijimtarisë së tij, që ka të bëjë kryesisht me konceptin abstrakt dhe stilistik, në teknika shumë të veçanta dhe në formate të vogla.

“Babi ka punuar gjithë kohën e realizmit socialist në fshehtësi dhe vetëm pas ’90-ës ka filluar të prezantojë veprat e tij. Por vepra e tij është shumë e bollshme dhe shumë e larmishme dhe unë kam menduar që herë pas here ta ekspozoj në koncepte dhe forma të ndryshme koleksionesh të kuruara me shumë kujdes”, vijoi Anila Zajmi.

“Bzaj ‘24” do të qëndrojë e çelur për disa muaj.