Vështirësitë dhe krijimi i dueteve! Sala: “Nuk mund të këndoj secili sipas qejfit!”

Vështirësitë dhe krijimi i dueteve! Sala: “Nuk mund të këndoj secili sipas qejfit!”

Në episodin e parë të RevoCast, Aldo Mustafa dhe Algert Sala zhvilluan një bisedë të thelluar për sfidat krijuese që e shoqëruan këngën “Hedh Pas,” ku Algerti dhe këngëtarja Sonja gjetën rrugën e përbashkët artistike. Aldo e pyeti Algertin për kohën e gjatë të përgatitjes së këngës, duke përmendur se shumë artistë shpesh përballen me këtë vonesë, për shkak të proceseve krijuese që kërkojnë përshtatje dhe rishikim të vazhdueshëm. “Ti ke nevojë ta shohësh në një prizëm tjetër… është i njëjti dëgjim si javën e parë dhe pas disa muajve?” — e pyeti ai.

Algerti, duke qeshur, iu përgjigj se duetet janë të ndërlikuara. “Duhet të përshtaten mirë, që të dali kombinimi i duhur për dëgjuesin… që Sonja të këndojë për qejfin e saj, unë për qejfin tim dhe ku ishim? Hiç gjëkundi!”

Algerti sqaroi se u desh të punohej me kujdes për të gjetur tonalitetin e përshtatshëm për të dy artistët, të orkestrohej kënga me instrumente dhe tinguj që i shkonin për shtat stilit dhe vokaleve të tyre unike, një proces që kërkoi kohë dhe përkushtim maksimal. Ky diskutim zbardh përkushtimin që qëndron pas prurjeve të reja muzikore, duke e sjellë këngën “Hedh Pas” në një formë të përsosur për të përmbushur pritshmëritë e dëgjuesve.

INTERVISTA

Aldo Mustafa: Çfarë ndodh? Sepse kemi dëgjuar gjithmon këngëtarë të cilët thonë se këtë këngë e kam përgatitur përpara kaq kohës, më janë dashur kaq muaj. Pse kaq shumë, ka procese të tjera pune të cilat nuk të lënë ta përfundosh, apo është puna direkt me këngën që merr kohën e duhur. Ti ke nevojë ta shohësh në një prizëm tjetër, pra ti ndoshta e përgatit tani dhe të duhet të kalojnë disa kohë që ti të kuptosh se çfarë ke përgatitur! Si është? Është i njëjti dëgjim si javën e parë dhe pas disa muajve?

Algert Sala: Më lër ta procesoj njëherë pyetjen, sepse ishte shumë e gjatë. Bëj shaka! Jo, duetet janë pak të vështira, duhen patjetër të përshtaten mirë, që të dali kombinimi i duhur për dëgjuesin, sepse nuk duhet të jenë dy këngë brenda një kënge. Që Sonja të këndoj për qejf të saj, unë për qejfin tim dhe ku ishim? Hiç gjëkundi!

Aldo Mustafa: Ç’bëm? Hiç gjësendi! Lojë idiote komplet!

Algert Sala: Dhe na u desh të gjenim tonalitetin që na rrinte vokalisht mirë të dyve, ta orkestronim në tinguj dhe instrumenta që na përshtateshin dhe kjo hëngri goxha kohë!