FJALIM ME PIZHAME!
Mbi milingonë
ngarkoj të trokiturat e miqve,
dera nga inati dorëhiqet,
hyn era
me vorbullat e saj arrogante,
shiu s’merr leje
si zakonisht,
qeni i zonjës Bardhë
zë vend në tryezë,
pjatat shtrohen
mbi flatra pilivesash,
mbaj fjalimin e parë
në jetë,
ndonëse me pizhama.
Shiu fshin sytë,
ngashërehet:
dikur
paska qenë
duartrokitës profesionist
“Byroje”.
Ariu lodër
shërben,
megjithëse pa kokë,
koka na qenka
“Kokë Parlamentare”,
dy herë deputete,
tre herë ministre,
shkurt:
“Kuçkë e madhe”.
Milingonat s’m’i mbajnë më
të trokiturat e miqve,
dera më lutet,
të punojë prapë derë,
era me vorbullat e saj arrogante
rrëmben gjithçka,
tavolinën me pjatat mbi pilivesa,
shiun e paedukatë,
qenin grykës të zonjës Bardhë
dhe pizhamat e fjalimit tim të parë
që kanë veshur ariun lodër.
ELA NUK DËGJON
Dhëmbët u arratisën
nga goja e Elës, që nuk dëgjon
ose dëgjon pak,
aq pak sa të shqyen fytin
nga të bërtiturat,
nuk flet ose flet me hope
kur të dëgjon,
shoqet e punës i thonë përditë:
vër aparat dëgjimi se na shqeve,
ajo bën sikur e kupton
por qesh, se nuk
e dëgjon as këtë.
Dhëmbë e mbetura kushtojnë
pak në heqje,
e shumë në vënie,
Ela merr rrogë të ulët,
nuk ka lekë për gojën,
qesh ashtu pa dhëmbë,
si bebe e porsalindur,
por Ela ka fishka dhe rrudha,
ka kallo në duar
dhe dhimbje në trup,
nga puna fizike në gjelbërim.
Dielli dhe shiu e kanë mpakur,
era dhe ngrica ka bërë ç’të dojë
me mishin dhe kockat,
sidomos kockat po t’i pyesësh,
të mbajnë me ankesa gjer në mbrëmje.
Ela nuk dëgjon,
as dhëmbë tani për tani
nuk ka, flet rrallë,
por u qesh të gjithëve,
bebe e porsalindur
që era e tund dhe e shkund.
Diellit i vjen keq
me atë çadrën e madhe, të zezë,
e mbron mos ta lagi shiu,
ndërsa dëgjohen zhurma
këmbësh në tokë,
është ngrica llastica
që nga inati i përplas,
se nuk i bëri dot gjë, as sot,
Elës,
punëtores së urtë të gjelbërimit.
Maj 2024
FTOHJA E RRUGËVE
Janë ftohur rrugët,
nxjerrin nga goja historira
dashnorësh, kriminelësh
e prostitutash,
një puthje të prerë në mes,
një pëshpërimë të humbur diku,
një tradhëti të fshehur
hijeve të pemëve.
Qënkan ftohur keq rrugët,
thotë dhe Jani,
i dehuri i përnatshëm i “Kthinës”,
pijetoria e pret
krahëhapur në mbrëmje,
e ndjek me shqelma
në mëngjes.
Xha Jani nuk mërzitet,
të përshëndet, të puth,
bën muhabet, pi,
nuk fyen njeri,
nuk shan as bërtet,
derisa fillon politika,
atëherë skuqet, nxehet,
fryhet e fryhet si minë,
dhe shpërthen e shkatërron
“Kthinën”.
Kamarierët e kapin për krahësh,
e nxjerrin nga dera,
por gjithmnonë nuk e kupton
se jashtë bie shi
e bën ftohtë,
por zhvishet lakuriq,
bërtet e bërtet,
kërkon një det ku të zhytet,
dhe kjo e mundon,
derisa lodhet e raskapitet,
e bie shakull në gjumë.
Tetor 2024