Nga Kristaq Thano – Report Tv
Në teatrin Bylis të Fierit për dy netë me radhë, të enjten e të premten u shfaq me sukses komedia “Ëndërr në papafingo” me regji të Leka Bungos dhe një kast të mrekullueshëm aktorësh.
“Jemi përpjekur të bëjmë një shfaqje profesionale dhe mendoj se kasti i aktorëve ia ka arritur, pa zhurmë, jo me banalitet të japë një shfaqje qe fton publikun në buzëqeshje jo me nenqeshje dhe kjo per mua mjafton”, tha Bungo.
Komedia trajton një nga temat e mprehta shoqërore të kohës siç është ajo e ndërtimit të familjes “ re” socialiste. Ngjarjet vendosen në vitet 1970, në një vilë në Tiranë ku jeton familja e një prej heronjve të luftës. Sipas komedisë së Bungos, djali i heroit, është një zetorist në një kooperativë fshati që emërohet Drejtor në Ministrine e Punëve të Jashtme. Para detyrës së re, ai bashkë me të shoqen dhe vajzën e tij, vendoset në një vilë që më parë ishte pronë e njërit prej bashkëpunëtorëve të pushtuesve.
“Ngjarjet janë reale dhe për më tepër për brezin e ri që nuk e kanë jetuar atë periudhë do të ketë çfarë të mësojë. Këto ngjarje kanë ndodhur realisht ateherë, nuk ka asgjë të sajuar asgjë të shtuar”.
Komedia “Ëndërr në papafingo” erdhi si bashkëpunim i Teatrit Bylis në Fier dhe Teatrit “Skampa” të Elbasanit.