RevoCast Episodi 4: Elios Shuli, rekordi i një autori të ri në Këngën Magjike

RevoCast Episodi 4: Elios Shuli, rekordi i një autori të ri në Këngën Magjike

RevoCast vijon të bëjë bujë me biseda të sinqerta dhe frymëzuese me emra të njohur dhe premtues të artit dhe kulturës shqiptare. Në episodin e tij të katërt, Aldo Mustafa mirëpriti një prej zërave më aktivë në industrinë muzikore aktuale, Elios Shuli, i cili rrëfeu për angazhimin e tij intensiv në Këngën Magjike 2024 dhe rolin e tij të ri si autor tekstesh dhe këngësh.

“Një Boom Artistik”

Në një atmosferë miqësore dhe plot energji, Aldo Mustafa hapi bisedën duke përmendur angazhimin e pashembullt të Eliosit në muzikë këtë vit. “Nuk të kam parë ndonjëherë kaq të angazhuar në industrinë e muzikës,” theksoi Aldo, duke marrë një pohim modest nga Eliosi: “Po, e vërtetë!”

Ky përkushtim i ri i Eliosit lidhet drejtpërdrejt me Këngën Magjike, ku ai këtë herë shfaqet si autor. “Unë prej tre vitesh punoj në Këngën Magjike, por në një aspekt tjetër. Tashmë vij si autor dhe kjo ka qenë një nisëm jo vetëm e mirëmenduar, por unë kam pritur momentin… që të shpërthej gjithë ky ‘boom’ artistik.”

Shtatë Këngë, Shtatë Histori

Elios ka qenë autor i shtatë këngëve pjesëmarrëse në këtë edicion të Këngës Magjike, një arritje që flet për talentin dhe besimin që këngëtarët kanë treguar ndaj tij. Edhe pse kishte planifikuar tetë materiale, njëra prej tyre nuk arriti deri në konkurrim, por kjo nuk e ndalon Shulin të jetë mirënjohës për çdo mundësi.

“Jam shumë falenderues për të gjithë këngëtarët, jo vetëm që më kanë besuar mua, sepse realisht hyj në gjeneratën e krijuesve të rinj. Ti nuk e ke garancinë se çfarë produkti do të sjelli ky djali.” Ai shtoi se ka punuar me zëra që vërtet “këndojnë mbi të gjitha!”, duke nënvizuar standardin artistik që kërkon dhe ofron në projektet e tij.

Një Kapitull i Ri për Eliosin

Ky rol i ri si autor shënon një kapitull të rëndësishëm për Elios Shulin, i cili ka gërshetuar pasionin e tij për muzikën me aftësinë për të krijuar tekste dhe melodi që prekin zemrat e dëgjuesve. Duke kaluar nga prapaskenat e festivalit në skenën e madhe si autor, Elios po kontribuon në formimin e një kulture të re muzikore, ku autenticiteti dhe cilësia janë prioritet.

Përmes këtij episodi, RevoCast sjell një tjetër histori frymëzimi për të gjithë ata që ndjekin ëndrrat e tyre me përkushtim dhe vendosmëri. Me një Elios Shuli plot energji dhe pasion për muzikën, podcasti rikujton rëndësinë e inovacionit dhe të besimit në vetvete, duke mbetur kështu një platformë unike për të nxjerrë në pah talente dhe ide të reja.

Mos e humbisni këtë episod të veçantë të RevoCast, tashmë të disponueshëm në platformat tuaja të preferuara!

INTERVISTA

Aldo Mustafa: Nuk të kam parë ndonjëherë kaq të angazhuar në industrinë e muzikës.

Elios Shuli: Po, e vërtetë!

Aldo Mustafa: Dhe për më tepër një numër rekord tekstesh të shkruara, këngësh, të cilat ndodhen aktualisht në konkursin e Këngës Magjike.

Elios Shuli: Po, është e vërtetë në fakt. Unë prej tre vitesh punoj në Këngën Magjike, por në një aspekt tjetër. Tashmë vij si autor dhe kjo ka qenë një nisëm jo vetëm e mirëmenduar, por unë kam pritur momentin po themi, që të shpërthej gjithë ky “boom” artistik, nëse mund ta quaj kështu. Janë punuar 7 materiale, duhet të ishin 8 në fakt, por ranë rrugës. Dhe jam shumë falenderues për të gjithë këngëtarët, jo vetëm që më kanë besuar mua, sepse realisht hyj në gjeneratën e krijuesve të rinj, ti nuk e ke garancinë se çfarë produkti do të sjelli ky djali. Jam vërtetë shumë falenderues, sepse kam punuar dhe kam zgjedhur të punoj me zëra që këndojnë mbi të gjitha!