Kozeta Kurti: Klinti Çollaku, fituesi im i Kënga Magjike për melodinë, mesazhin dhe kurajën

Kozeta Kurti: Klinti Çollaku, fituesi im i Kënga Magjike për melodinë, mesazhin dhe kurajën

Nga Kozeta Kurti

Gjebrea më dha edhe këtë vit një mundësi të artë, për t’u shprehur në mënyrën time e për ta përmirësuar këtë mënyrë me çdo ndërhyrje të tij, delikate, plot mirësjellje dhe duke më mësuar në gati 2 muaj atë që s’e mëson dot për 2 vjet, për ritmin skenik dhe ritmin televiziv.

Përkushtimi i Arditit në çdo detaj të këngës, të performancës, të regjisë skenike e jo vetëm, të kontrollit të çdo detaji teknik, të trajtimit të çdo artisti njësoj me dinjitet, nuk e bën Festivalin Kënga Magjike rastësisht Festivalin me prurjet më të mira, me emra të njohur dhe me të tjerë më pak të njohur, apo aspak të panjohur, por me vokale aq cilësore, sa mund ta konkurrojnë lehtësisht aspektin komercial të rrënjosur thellë tashmë në realitetin tonë kulturor dhe artistik.

Për mua kënga ka mbi të gjitha autenticitetin dhe të veçantën; muzikën, fjalët, produksionin dhe padiskutim KËNGËTARIN/EN; saktësinë e tij/saj, artikulimin dhe përcjelljen e emocionit.

Tani që ka mbaruar gjithçka, do kisha votuar 1000 herë duke vendosur me tek a çift për Best New Artist për Lore apo Frank Ibrahimi, njëra për këngën stil e tjetrit duke i shtuar shijen dhe ndjeshmërinë time personale.

Këngët e këtij Festivali do t’i kisha dëgjuar të gjitha me qejf çdo ditë.

Do të luaja pa u mërzitur në radio “Zemër xhami-n” e Alban Emirit, (që ngaqë s’ka taraf e miq këtu, patjetër që do mbetej jashtë finales) do të kërceja nëpër festa këngën e Aurel Thëllimit, do recitoja poezinë e Ori Kuçit shkruar për “N’pasqyr’ “ të Kamela Islamajt, do ecja me kufje në rrugët e Tiranës, duke dëgjuar DO’A, do isha frymëzuar për qëndrime dhe artikuj nga Eneda.

Ndërsa për shumatoren e këtyre elementeve të mëposhtëm: (MEQË TANI KA MBARUAR GJITHÇKA E MUND TA THEM)

* për melodinë me identitet

* për mesazhin e përcjellë

* për kurajon për t’u prezantuar si kantautor

* për saktësinë e këndimit

fituesi im i Festivalit Kënga Magjike është Klinti Çollaku.

Në fund, do të jem përgjithmonë falënderuese që pata fatin e madh të jem bashkëautore e Festivalit më të mirë në historinë e tij 24 vjeçare (për mua) me producentin e Festivalit Ardit Gjebrea dhe regjisorin Aldon Lipe.