Elvana Gjata, një prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare për më shumë se dy dekada, duket se po humbet identitetin artistik që dikur e bënte të spikaste. Konkurrimi i saj në Fest 63 me këngën “Karnaval”, një miksim i muzikës latine dhe komerciale, nxjerr në pah një krizë krijuese që prek jo vetëm origjinalitetin e saj, por edhe vlerësimin e publikut.
Performanca pa frymë unike
“Karnaval” nuk mund të konsiderohet si një hit i denjë për Eurosong 2025. Performanca e saj, me koreografi dhe veshje që ndjekin stilin e Jennifer Lopez dhe Beyoncé, krijoi një përzierje të dy artisteve të cilat janë të vështira për t’u “tretur”. Nuk ishte as homazh, as diçka origjinale, ishte thjesht një përpjekje e stërmunduar për të imituar. Çuditërisht, kjo përzierje duket si një produkt i arkivave të vitit 2014, i cili përfundimisht doli në skenë pa arritur të impresionojë.
Shqiptarët e duan Jennifer Lopez, e duan Beyoncé dhe po ashtu e duan dhe Elvana Gjatën, por ndikimi i dukshëm i dy divave të huaja mbi Gjatën krijon një humbje identiteti artistik. Kjo ka sjellë një monotoni në muzikën e saj dhe përhap ndjesinë se artistja po përsërit veten prej vitesh.
Një këngë që nuk ishte për Eurovision
“Karnaval”, me tingujt e saj latinë, ndoshta do të ishte e përshtatshme për një kampionat futbolli ose një event veror, por jo për një kompeticion si Eurovision. Në Eurosong, vlerësohet kënga dhe origjinaliteti i saj, jo thjesht emri i këngëtarit. Fakti që kjo këngë u vlerësua vetëm prej statusit të Elvanës dhe jo cilësisë së saj tregon një problem thelbësor në qasjen tonë ndaj muzikës dhe artistëve, pasi nëse kjo këngë do të këndohej nga ndonjë këngëtare tjetër, a do të kishin më “Elvanatorët” të njëjtin pretendim për vendin e parë?!
Një këngë e humbur: “Gajde”
Pak vite më parë, bashkëpunimi i Elvanës me Dhurata Dorën, “Gajde”, kishte potencial të ishte një hit që mund të përfaqësonte Shqipërinë në Eurovision. Megjithatë, ajo nuk u paraqit kurrë në skenën e një kompeticioni të tillë. Kjo ngre pyetjen: a ka humbur grupi i saj menaxhues sensin e tregut aktual dhe pritshmëritë e audiencës?
Problemet me vazhdimësinë dhe Hitet e kohës
Elvana ka pasur një karrierë brilante me disa nga perlat e muzikës shqiptare si “Tavolina e Mërzisë” dhe albumet në bashkëpunim me Pirro Çakon, por fatkeqësisht, hitet e saj të fundit kanë qenë kryesisht komerciale dhe pa ndonjë efekt të qëndrueshëm. Puna e saj e fundit reflekton një krizë krijuese që duhet adresuar.
Mesazhi për Elvanën
E ardhmja e Elvanës varet nga aftësia e saj për të rimenduar dhe riformatuar qasjen artistike. Çdo artist ka momentet e veta të rënies, por Elvana ka potencialin të rikthehet në hyrjen e dekadës së saj të tretë artistike. Siç ka thënë edhe vetë: “Jemi mësuar të biem 10 herë dhe të çohemi herën e 11.” Kthimin te rrënjët dhe krijimi i muzikës që mbart shpirtin e saj origjinal do të jetë rimëkëmbja.
Në të kundërt, “Shkelqimi dhe Rënia e shoqes Gjata” mund të shënojnë një epilog të parakohshëm për një karrierë që meriton të zgjasë.