Një anije kozmike e Nasa-s ka bërë histori duke mbijetuar në distancën më të afërt ndonjëherë ndaj Diellit.
Shkencëtarët morën një sinjal nga Sonda diellore Parker Pak para mesnatës të enjten. Nasa tha se sonda ishte “e sigurt” dhe funksiononte normalisht pasi kaloi vetëm 6.1 milionë kilometra larg sipërfaqes diellore.
Sonda arriti në atmosferën e jashtme të yllit tonë në prag të Krishtlindjeve, duke duruar temperatura brutale dhe rrezatim ekstrem në një kërkim për të kuptuar më mirë se si funksionon Dielli.
Duke lëvizur deri në 692.000 km/h, anija kozmike duroi temperatura deri në 980C, sipas faqes së internetit të Nasa-s.
“Ky studim nga afër i Diellit lejon Sondën të marrë të dhëna që ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë se si materiali në këtë rajon nxehet në miliona gradë, të gjurmojë origjinën e erës diellore (një rrjedhje e vazhdueshme e materialit që i shpëton Diellit), dhe të zbulojë se si grimcat energjike përshpejtohen në shpejtësi afër dritës,” tha agjencia.
“Për shekuj me radhë, njerëzit kanë studiuar Diellin, por nuk e përjeton atmosferën e një vendi derisa të shkosh dhe ta vizitosh. Dhe kështu që ne nuk mund të përjetojmë atmosferën e yllit tonë nëse nuk fluturojmë rreth tij“, tha Dr. Nikola Foks, kreu i shkencës në Nasa.