Botohet “Andrushi 2”, përralla për fëmijë e shkrimtarit Flori Kasaj.

Botohet “Andrushi 2”, përralla për fëmijë e shkrimtarit Flori Kasaj.

Nga Adelina Mamaqi

Në dhjetor të vitit që lamë pas, doli nga shtypi libri “Andrushi dhe festa magjike”, një tjetër libër i shkrimtarit të ri dhe të talentuar Flori Kasaj, i cili ka hyrë në letërsinë tonë për fëmijë me hap të sigurt dhe premtues. Libri i parë “Andrushi”, u bë i dashur për lexuesit e vegjël dhe u mirëprit nga kritika si një sukses i vlerësuar dhe i kurorëzuar me çmimin e letërsisë për fëmijë në Panairin e Librit 2024 në Kosovë.


Ky libër i ri, që lexuesit e vegjël po e marrin në dorë, është vazhdimi i përrallës “Andrushi”, i cili premton të jetë një seri letrare me dy personazhe kryesore, Andrushi dhe Andrina, të plazmuar shumë bukur nga autori, si dy fëmijë të vegjël. Me bëmat, aventurat, lojërat dhe gëzimet e tyre, këta personazhe krijojnë një lidhje të veçantë me lexuesin, duke u bërë miqtë e tij të ngushtë.


Arritja e kësaj lidhjeje të ngrohtë dhe të natyrshme me lexuesin nuk është e lehtë, por duke njohur mirë psikologjinë e moshës së lexuesve, autori krijon histori që pasqyrojnë lojërat, dëshirat, mendimet dhe këndvështrimet e tyre. Ai përdor një gjuhë të qartë, të thjeshtë dhe të përshtatshme, e cila përvetësohet lehtë nga lexuesit e vegjël. Frazeologjia e shkurtër i bën personazhet të besueshme dhe të dashura.


Flori Kasaj ka një stil unik dhe të veçantë, i cili arrin të përcjellë elementin edukativ të domosdoshëm për formimin qytetar të brezit të ri. Kjo gjë arrihet natyrshëm, pa rënë në moralizime të drejtpërdrejta, duke ndikuar pozitivisht në formimin e karakterit dhe moralit të lexuesve të tij. Libri i shkruar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, i ofron lexuesve të vegjël mundësinë për të zgjeruar horizontet e tyre gjuhësore dhe kulturore.


Jo pa qëllim, autori ka shtuar një personazh të tretë, Andrikun. Ky personazh me një karakter të vështirë u jep kuptim të ri aventurave të Andrushit dhe Andrinës, duke pasuruar përmbajtjen dhe duke e bërë librin edhe më tërheqës.


“Andrushi dhe festa magjike” është një dëshmi tjetër e talentit të autorit. Ky libër jo vetëm argëton, por edukon e mbjell vlera kulturore, shpirtërore dhe qytetare te brezi i ri. Përmes këtij libri, autori dëshmon se letërsia për fëmijë është një pjesë integrale dhe e rëndësishme e kulturës sonë kombëtare, që pasuron identitetin dhe vlerat e saj.


Ilustrimet shoqëruese e zbukurojnë dhe bëjnë akoma më të veçantë këtë libër.
Urime autorit për këtë arritje.
Lexuesve të vegjël i uroj lexim të këndshëm, argëtues dhe edukativ!