Elton Iliriani flet për gjendjen e Parashqevi Simakut: “Po përmirësohet dhe do të rikthehet gradualisht në jetë normale”

Elton Iliriani flet për gjendjen e Parashqevi Simakut: “Po përmirësohet dhe do të rikthehet gradualisht në jetë normale”

Elton Ilirjani ka bërë të ditur sot informacion rreth gjendjes së këngëtares pas shtrimit të saj në një spital psikiatrik. Sipas tij, ai e ka vizituar dhe ka konstatuar se gjendja e saj ka shënuar përmirësime të dukshme krahasuar me ditën e parë kur u shtrua në spital.

Në një deklaratë publike, Iliriani tha se këngëtarja është në një fazë më të mirë shëndetësore, edhe pse ende nuk ka arritur momentin e saj më të mirë. Ai theksoi se përmirësimet janë të dukshme dhe ka shpresë se pas përfundimit të trajtimit në spital, ajo do të rehabilitohet gradualisht.

Gjithashtu, Iliriani zbuloi se dy infermiere me origjinë shqiptare e kanë vizituar këngëtaren në spital pa miratimin e familjarëve. Edhe pse ai theksoi se vizitat ishin bërë me qëllime pozitive dhe me dëshirën për ta ndihmuar, familjarët e saj kanë vendosur të mos lejojnë më vizita të tilla pa miratim paraprak.

“Sapo kam dalë nga një takim me Parashqevi Simakun dhe vihet re një përmirësim i dukshëm në gjendjen e saj. Megjithatë, familjarët e saj kanë kërkuar që çdo vizitë të autorizohet paraprakisht për të ruajtur privatësinë dhe për t’i garantuar qetësinë e nevojshme gjatë procesit të saj të rehabilitimit,” tha Iliriani.

Ai u bëri thirrje të dy infermiereve që të respektojnë vendimin e familjarëve dhe paralajmëroi se çdo vizitë e mëtejshme e paautorizuar do të trajtohet si shkelje e privatësisë së pacientit, duke theksuar se kjo mund të ketë pasoja ligjore.

Në përfundim të deklaratës, Elton Iliriani ndau një mesazh pozitiv, duke shprehur optimizëm për përmirësimin e gjendjes së këngëtares. Ai beson se pas disa javësh, ajo mund të kthehet në shtëpi dhe të nisë një proces të suksesshëm rehabilitimi. Për më tepër, ai shfaqi dëshirën për të bashkëpunuar me të në të ardhmen për të krijuar art të jashtëzakonshëm.