‘Liqeni i Mjellmave’, përralla klasike, shfaqje mbi akull! Baleti me muzikën e Çajkovskit në ditën e të dashuruarve

‘Liqeni i Mjellmave’, përralla klasike, shfaqje mbi akull! Baleti me muzikën e Çajkovskit në ditën e të dashuruarve

Nga Blerina Goce 

Liqeni i Mjellmave” kompozuar nga Çajkovski vjen në Tiranë, pikërisht në ditën e dashurisë, në një interpretim të veçantë mbi akull. Shfaqja do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve në mbrëmje, duke bërë bashkë artin, muzikën dhe mjeshtërinë e patinazhit.

“Këtë herë çdo gjë është ndryshe. Kemi menduar të realizojmë diçka si në një film, me shumë artistë që bëjnë gjëra interesante. Sigurisht, ky është një balet, me muzikën e Çajkovskit, më e bukura në botë, rreth së cilës bëhen të gjitha gjërat bashkë. Çdo gjë që do të jetë si në një shfaqje në teatër, vetëm se mjellma e zezë dhe e bardhë zakonisht është e njëjta, kurse këtu kemi dy artiste të ndryshme.”, – thotë Ina Lutay, koreografe e shfaqjes.

Përralla e dashurisë dhe intrigat e pushtetit, tepër aktuale edhe për shoqërinë sot, do të përcillet me elegancë nga balerinat mbi akull, shumë prej të cilave në moshë të vogël.

“Jam nga Qiproja dhe jam dymbëdhjetë vjeç. Unë jam një nga mjellmat. Spektakli do të sjellë historinë pak a shumë si çdo shfaqje normale e Liqenit të Mjellmave, por ka diçka ndryshe, që besoj është mirë ta shikoni. Është përvoja ime e parë në një produksion kaq masiv dhe në Shqipëri dhe jam e emocionuar që jam këtu.”, – thotë Marilena Kitromilis.

“Quhem Alisa. Jam nga Ukraina. Jam tetë vjeç dhe kam filluar të merrem me kërcim mbi akull që kur isha katër vjeç. Kjo është shfaqja e dytë ku marr pjesë.”, – thotë Alisa Velbovets.

Shfaqja do të sjellë përmes baletit mbi akull historinë e Princeshës Mjellmë, që do të mbrojë habitatin ku jeton, por dashurohet me djalin e një biznesmeni, që do të ndërtojë buzë liqenit. A do të fitojë dashuria përballë parasë? A është kjo një histori dashurie apo një kurth parash dhe pushteti? Për të zbuluar këtë mund ndiqni shfaqjen këtë të premte në Pallatin e Kongreseve, në dy shfaqje, në orare të ndryshme, në orën 18:30 dhe në orën 21:00.