Guri Madhi dhe Abaz Hado në një ekspozitë të përbashkët! “Together” sjell 26 piktura të autorëve në kohë të ndryshme

Guri Madhi dhe Abaz Hado në një ekspozitë të përbashkët! “Together” sjell 26 piktura të autorëve në kohë të ndryshme

Nga Blerina Goce 

Video: https://youtu.be/-aMZm87cl-E?si=wSGQH1aAiEyBfDgK

Kjo pikturë ka si autor Guri Madhin dhe është realizuar nga artisti në vitin 1972. E titulluar rruga “Fadil Rada”, ajo ekspozohet për herë të parë për publikun, pasi artistit nuk e kishte prezantuar sa ishte gjallë. Tashmë, ajo vjen bashkë me vepra të tjera të Guri Madhit dhe disa vepra të Abaz Hados në një ekspozitë të përbashkët të quajtur “Together”.

“Janë 26 punë. Është e vështirë të bësh harmonizim të dy koncepteve në dy kohë të ndryshme. Unë i përkas një brezi që i ka prekur pak vitet para ’90-ës, ndërsa Guri Madhi ka qenë pjesë e asaj periudhe dhe sigurisht mbi të ka qenë trysnia e asaj kohe, jo vetëm nga pikëpamja e censurës dhe autocensurë, por fizikisht ai ka pasur disa dënime.”, -shprehet piktori Abaz Hado.

Përmes një paralelizmi kohësh, në ekspozitën e ideuar dhe të konceptuar nga Hado bashkohen pasionet dhe historitë, ku shpaloset një përzierje mes modernizmit dhe traditës dhe reflektohet ndikimi i përvojave që ka pasur secili artist.

“Guri Madhin e pamë në tre aspekte: aspektin që ai është një artist, i cili ka trajtuar historinë dhe vumë një nga veprat, për të cilën u ndërhy edhe duke u restauruar, e për këtë falenderojmë edhe Bashkinë e Tiranës, që jo vetëm financoi ekspozitën, por ndërhyri për herë të parë në historinë e ekspozitave edhe për restaurimin e veprave të artit, se kishim të bënim me një artist me përmasa historike. Më pas sollëm dhe një moment ku trajton edhe pikturën etnografike, ndërkohë dhe peizazhin. Ndërsa unë kam atë idenë e raportit me natyrën, thirrja që natyra është pjesë e jona dhe duhet ta mbrojmë e ta kemi si të shenjtë. Doja ta jepja se si ky mjedis i pemëve, i pyllit shoqërohet dhe dhuron shumë.”,- vijon Hado.

Për Abaz Hadon, këto vepra janë një ftesë për reflektim dhe eksplorim, ku çdo vizitor mund të shohë dhe përjetojë një histori të përbashkët përmes syve të dy artistëve që, megjithëse kanë jetuar në kohë të ndryshme, bashkohen për të krijuar një përvojë të jashtëzakonshme. Ai sjell në vëmendje edhe kujtime personale me piktorin Guri Madhi, siç është momenti kur përgatiste punën e diplomës.

“Profesor Guri ishte në klasën përballë. Nuk e kisha direkt udhëheqës, por vinte më konsultonte se po bëja një temë bataliste, që kishte lidhje me luftën. Profesori ishte piktor shumë i njohur dhe i aplikueshëm në këto tematika, ndaj më ka orientuar tamam dhe më ka ndihmuar dhe diploma pati sukses në atë kohë.”, – tregon Hado.

Veprat e Guri Madhit që prezantohen në ekspozitë janë pjesë e fondit të familjes, që ruhen në Muzeun “Guri Madhi”, ndërkohë që ekspozita me punët e Madhit dhe Hados do të qëndrojë e çelur deri në fund të këtij muaji në “Maritim Hotel Plaza” në Tiranë.