“Pëshpërima” rrëfen histori të vërteta të grave të dhunuara! Shfaqje multimediale dhe performancë artistike më 8 mars

“Pëshpërima” rrëfen histori të vërteta të grave të dhunuara! Shfaqje multimediale dhe performancë artistike më 8 mars

Blerina Goce – Report Tv

Një udhëtim artistik që solli histori të frymëzuara nga ngjarje të vërteta ishte mbrëmja e së shtunës në Hollin Protokollar të Kryeministrisë në Tiranë. “Pëshpërima” ishte aktiviteti i mbajtur me rastin e ditës së grave, një performancë teatrale aq sa dhe shfaqje multimediale. Në regjinë e Driada Dervishit, shfaqja pati për qëllim të tregojë vuajtjen dhe dhimbjen e grave të thjeshta, të cilat kanë qenë të dhunuara apo edhe të vrara nga bashkëshortët e tyre.

“Unë shpresoj që këto pëshpërima të grave, që në fakt nuk janë më, erdhën sot përmes zërave të fuqishëm të aktoreve tona të mrekullueshme, që dua t’i falënderoj.”, – thotë Driada Dervishi, ideatore dhe drejtuese artistike e aktivitetit.

Në shfaqje morën pjesë aktore nga Shqipëria, Serbia dhe Kosova, si: Albulena Kryeziu Bokshi, Suela Bako, Anila Bisha, Rudina Dembacaj etj., ndërkohë përmes videoprojeksioneve të pranishme ishin edhe aktoret Zamira Kita, Maja Mitiç dhe Olivera Viktoroviç. Me autore Anisa Markarian, Milan Markoviç Matis, Egla Mitre, Ulpianë Maloku dhe B.Stojkovic, performanca u shoqërua me muzikë live nga Daorsa Dervishi në flaut, duduk dhe sansa.