Në një intervistë të fundit, kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, foli mbi çështjet kryesore që prekin qytetarët, prioritetet e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit dhe sfidat e sektorit të arsimit në raport me punësimin.
Infrastruktura dhe zhvillimi urban
Duke u ndalur tek kërkesat më të shpeshta të banorëve, Arbana theksoi se tashmë problemet bazike si mungesa e energjisë elektrike nuk janë më një shqetësim për qytetarët, falë investimeve të kryera ndër vite. Në fokusin e bashkisë mbeten investimet strategjike në infrastrukturë, duke përfshirë sistemimin e rrugëve rurale.
“Kemi prioritet përmirësimin e rrugëve rurale, një proces që po vijon. Gjatë pesë viteve të fundit, me mbështetjen e Kryeministrit Rama, kemi rindërtuar Shijakun duke sjellë një transformim të dukshëm në çdo lagje me pallate të reja, rrugë të asfaltuara dhe infrastrukturë moderne,” tha Arbana.
Prioritetet politike dhe integrimi europian
Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, Arbana u ndal edhe tek prioritetet e Partisë Socialiste, duke vënë në dukje arritjet e viteve të fundit, si reformat në drejtësi dhe arsim.
“Puna e bërë ka sjellë përmirësime të prekshme për qytetarët. Reforma në arsim ka mundësuar një rritje page prej 30% për mësuesit dhe drejtorët e shkollave, ndërsa platforma ‘Mësues për Shqipërinë’ ka ndihmuar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies sipas standardeve europiane,” u shpreh ai.
Sa i përket procesit të integrimit, Arbana nënvizoi përkushtimin e qeverisë për të përmbyllur negociatat me Bashkimin Europian brenda vitit 2028.
“Rruga e nisur me marrjen e statusit të vendit kandidat në 2014 dhe hapjen e negociatave në 2020 duhet të përfundojë me sukses. Angazhimi i Kryeministrit Rama është për të përshpejtuar këtë proces,” theksoi kryebashkiaku.
Arsimi profesional dhe tregu i punës
Një tjetër pikë e rëndësishme ishte edhe zhvillimi i arsimit profesional, si një mekanizëm për integrimin më të shpejtë të të rinjve në tregun e punës.
“Arsimi profesional po merr një vëmendje të veçantë nga qeveria për të krijuar kuadro të aftë dhe konkurrues në tregun europian. Në Shijak kemi ndërtuar katër objekte të reja arsimore dhe tre kopshte moderne, duke ofruar kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit,” tha Arbana.
Strategjia politike dhe fitorja e Partisë Socialiste
Me publikimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit, brenda Partisë Socialiste është krijuar një energji e re. Arbana beson se përfshirja e figurave të reja bashkë me eksperiencën e politikanëve të vjetër është një kombinim që do të sigurojë fitoren.
“Kryeministri Rama ka theksuar rëndësinë e bashkimit mes eksperiencës dhe energjisë së re, si një formulë suksesi për të çuar Shqipërinë më afër BE-së. Kjo frymë do të na çojë drejt një fitoreje të sigurt në 11 maj,” përfundoi Arbana.
Intervista e plotë:
- Përshëndetje Z. Arbana: Ju jeni në takim të përditshëm me qytetarët. Cilat janë kërkesat që kanë më së shumti?
Përshëndetje! Tashmë mungesa e dritave dhe çështje si kjo nuk janë më temë diskutimi, pasi prej vitesh janë bërë investime të shumta. Ndërkohë sot flasim për përfundimin e investimeve strategjike në infrastrukturë, siç është hapja e tuneleve në veri dhe në jug të vendit.
Investimet në infrastrukturë dhe projekte të tjera zhvillimore ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.
Në takimet që kam me banorët e Shijakut kërkesat e tyre lidhen me sistemimin e rrugëve rurale, investime të cilat bashkia po i kryen dhe ka prioritet në vazhdim. Gjatë 5 viteve që kemi lënë pas me mbështetjen e Kryeministrit Rama kemi rindërtuar Shijakun, duke rilindur çdo lagje të qytetit me pallate të reja, rrugë të asfaltuara etj.
- Cilat janë prioritetet e Partisë Socialiste për të qënë alternativa më e mirë për qytetarët në zgjedhjet e 11 Majit?
E gjithë puna e realizuar vitet e fundit është e dukshme, pasi ka sjellë progresin e Shqipërisë dhe ka përmirësuar cilësinë e jetës se qytetarëve. Janë ndërmarrë reforma të rëndësishme si psh reforma në drejtësi, reforma në arsim duke i dhënë mundësinë mësuesve dhe drejtorëve të shkollave të përfitojnë një rritje page prej 30%.
Portali “Mësues për Shqipërinë” ka prodhuar mësues më të kualifikuar, sipas standarteve të familjes europiane.
Për t’ju rikthyer pyetjes tuaj, do të thoja se rruga e nisur në qershor 2014, ku Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për në BE, dhe në mars 2020, u hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim të përfundojë me sukses me një fitore të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare. Kryeministri Edi Rama ka shprehur angazhimin e qeverisë për të përshpejtuar Procesin e Integrimit dhe për të mbyllur negociatat brenda vitit 2028.
- Ju përmendët reformën në arsim dhe rritjen e pagave të mësuesve. Cilat janë sfidat e tjera që ka arsimi në raport me punësimin?
Qeveria shqiptare dhe Kryeministri Rama i ka dhënë vëmendje të veçantë arsimit profesional, me qëllim që të jemi konkurues në BE.
Arsimi profesional ndihmon të rinjtë të integrohen më shpejt në tregun e punës duke pasur një diplomë të shkollës së mesme.
Nërkohë, në Shijak janë ndërtuar 4 objekte arsimore të reja dhe 3 kopshte duke siguruar ambiente komode dhe të sigurta për nxënësit dhe mësuesit.
- Me daljen e listave të kandidatëve ka një energji të re brenda Partisë Socialiste. A mendoni ju se kjo strategji do ta çojë PS-në drejt fitores së 11 Majit?
Padiskutim që po! Fryma e njerëzve të rinj të përfshirë në listat për deputetë dhe eksperienca e atyre që kanë kontribuar prej vitesh është simbioza e fitores.
Siç është shprehur dhe Kryeministri Rama: “Në skuadrën e 11 majit do bashkojmë eksperiencën me energjinë e re, duke siguruar vazhdimësinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”