Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë reagon për votimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë reagon për votimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh zhgënjimin për votimin e së hënës në Parlament, ku u zgjodhën anëtarët dhe kryetari i ri i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.

Në krye të Këshillit u zgjodh me konsensus politik zëdhënësi i Kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Fatjon Hoxhalli. Ndërkohë, anëtarë të këshillit u zgjodhën edhe: zëdhënësi i zv.kryetarit të Parlamentit Blendi ÇUÇI; këshilltari i jashtëm i Kryetares së Kuvendit Elisa SPIROPALIT; ish-zëvendësministri i Bujqësisë i Partisë Socialiste, i liruar nga detyra në 2024; një anëtar i Këshillit Kombëtar të PD; një ish-deputete e PD.

Shkrirja e Këshillit Drejtues të RTSH pak javë më parë, me propozimin e Komisionit të Medias dhe me votimin e Parlamentit, u duk si një sinjal i qartë se palët politike kishin vendosur t’i jepnin fund paligjshmërive politike.

Por me zgjedhjen e shumicës së anëtarëve politikë, Parlamenti tregoi se interesat e ngushta partiake mbizotëruan mbi interesin publik.

Anëtarët e Komisionit të Medias dhe më pas të Parlamentit i mohuan sot publikut mundësinë që RTSH të jetë një institucion dinjitoz dhe i pandikuar politikisht.