Komunizmi i pushkatoi para 80 vitesh, kujtohet Gjyqi Special! 17 intelektualë u vranë pas gjykimit farsë nga komunistët

Komunizmi i pushkatoi para 80 vitesh, kujtohet Gjyqi Special! 17 intelektualë u vranë pas gjykimit farsë nga komunistët

Blerina Goce 

Ishte 14 prill i 1945-ës, plot 80 vjet më parë, kur në Tiranë u ekzekutuan 17 intelektualë, patriotë dhe personazhe të rëndësishme të  Shqipërisë së atyre viteve, pasi më parë i ishte bërë një gjykim farsë, që njihet në histori si Gjyqi Special e që u mbajt nga 1 marsi deri më 1 prill 1945.

Të dënuar nga regjimi komunist, me akuzat se kishin bashkëpunuar me kriminelët e Luftës dhe Armiqtë e Popullit, ata u hodhën të gjithë në një varr të përbashkët dhe për shumë vite eshtrat e tyre nuk dihej se ku ndodheshin.

17 të pushkatuarit por edhe dhjetëra të tjerë të dënuar me vite burgim, u kujtuan këtë përvjetor në një aktivitet të organizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

Një ndër këta të pushkatuar ishte edhe Terenc Toçi, politikan shqiptar me origjinë arbëreshe i lindur në Kalabri, aktivist dhe mbrojtës i çështjes shqiptare. Fundin e tij tragjik e kujton sot nipi i tij, që i trashëgon edhe emrin.

Jurist, botues, shkrimtar, nëpunës i shtetit shqiptar pas Kongresit të Lushnjës, deputet i parlamentit e më pas kryetar i tij nga viti 1940 deri më 1943, pas Luftës së II Botërore, Toçi u akuzua dhe u dënua nga komunistët.

Terenci, rrëfen se gjyshi i tij kishte pasur gjithmonë pasionin për vendin e vet të origjinës dhe çështjen shqiptare. Ai kishte qenë fillimisht në Shqipëri në vitin 1911, për t’u larguar e rikthyer në vitin 1920, për të mos u larguar më. Për fat të keq, vetëm pak kohë para pushkatimit atë e burgosin.

“Partizanët shkuan e morën në shtëpi dhe e futën në një burg të tmerrshëm, ku nuk kishte as ujë, nuk kishte për të shkruar dhe ku fline përtokë. Ata nuk mund të komunikonin me familjarët dhe njerëzit e dashur. U pushkatua pas një procesi të rremë.  Gjyshi im ishte dikush që besonte në Zot, në nder, në atdhe, në familje. Pati një jetë plot sakrifica. Ai pati intuitën, gjë që akoma sot është shumë moderne, në lidhje me idenë që dy vende mike, Shqipëria dhe Italia, vetëm duke iu dhënë dorën njëri-tjetrit mund të jenë motra.”, – thotë Terenzio D’Aleno Toçi, nipi i Terenc Toçit.

Sokol Borshi është një tjetër pasardhës i një prej 17 të pushkatuarve të Gjyqit Special. Ai tregon se gjyshi i tij, Shyqyri Borshi, ishte një njeri me kontribute të mëdha patriotike.

“Gjatë luftës, kur ka qenë drejtor i policisë ka liruar nga burgu disa komunistë dhe nacionalistë të kohës, të cilët edhe shprehën dëshirë të dalin dëshmitarë në gjyq, por nuk u lejuan nga regjimi i kohës. Për një ditë ka liruar 19 vetë nga burgu dhe për këtë u pezullua nga puna në 1943. Varri nuk dihej por vetëm pas 15 viteve me punën e zotit Simon Miraka dhe të tjerëve që kërkuan dhe u gjetën ku ishin eshtrat.”, – tregon Borshi.

Dokumentari “Gladius” me autor Besmira Pelushaj dhe Viron Roboçi, u shfaq për gjyqin special që duhet të mbetet historinë tonë si komb, si një prej ngjarjeve më të rënda në kujtesën tonë kolektive.

Eshtrat e 17 të pushkatuarve të 14 prill 1945 tyre u gjetën vetëm pas vitit 2000, atje ku u pushkatuan te Kodra e Priftit dhe ku u ndërtua një varr monumental në nder të rolit dhe kujtimit të tyre.