Në një kohë kur besimi i qytetarëve ndaj politikës ndodhet në pikën më të brishtë, zëri i një profesionisteje që ka kaluar jetën në shërbim të të tjerëve tingëllon ndryshe. Edlira Harizi (Shemsi), neurologe me karrierë të gjatë në Durrës, kandidate për deputete e Partisë Demokratike në këtë qytet, vjen në skenën publike jo për të imponuar premtime, por për të dëshmuar përvojë dhe qëndrim njerëzor.
E ftuar në RevoCast, ajo rrëfeu e bindur se nuk ka qenë pjesë e politikës më parë, por ka ardhur në të për shkak të besimit që i është dhënë nga qytetarët.
Edlira Harizi (Shemsi): Aldo, unë nuk kam qenë më parë pjesë e politikës dhe nuk mund të jap deklarata të mëdha se si do të jem si politikane. Por një gjë e them me shumë bindje: unë do të jem gjithmonë vetja. Nëse do të vazhdoj këtë rrugë, do të jem gjithmonë për njerëzit. Profesioni im më ka mësuar të jem çdo ditë në shërbim të tyre – jo vetëm për problemet mjekësore, por edhe për ato sociale e njerëzore. Sepse kur vjen te mjeku, te një neurolog si unë, njerëzit tregojnë gjithçka. Dhe përmes këtij kontakti të përditshëm me qytetarët, unë jam ndjerë pranë tyre edhe kur kam nisur të përfshihem në politikë. Ishin pikërisht ata, me mirësinë, kërkesat dhe besimin e tyre, që më shtynë të mos qëndroja mënjanë.
Aldo Mustafa: Të shtynë të vazhdosh më tej, të përfshihesh realisht në politikë?
Edlira Harizi: Po. Aktualisht jam anëtare e Këshillit Bashkiak në Durrës dhe kryetare e Komisionit të Çështjeve Sociale, Barazisë Gjinore dhe Kundër Diskriminimit. Para dy vitesh, ishin po qytetarët e Durrësit që më thoshin: “Duhet të jesh në Këshill si zëri ynë.” Dhe e pranova me sinqeritet – pikërisht sepse vinte nga njerëzit.
Kjo përvojë intime me realitetin e përditshëm të qytetarëve është, sipas saj, forca që e shtyn të mos heshtë. Angazhimi i saj nuk nisi nga një vendim i ftohtë politik, por nga një thirrje qytetare që u kthye në përgjegjësi.
Ky nuk është një rrëfim që synon të glorifikojë, por një qasje që vjen natyrshëm nga një person i mësuar të dëgjojë, të kuptojë dhe të ndihmojë. Në vend të frazave bombastike, Edlira Harizi zgjedh të flasë me tonin e një mjekeje që e di mirë se rruga drejt shërimit nuk është gjithmonë e shpejtë, por kërkon vëmendje dhe përkushtim. Dhe pikërisht këtë mendësi duket se dëshiron të sjellë në politikë.
Në një sistem ku shpesh politika e gëlltit njeriun, ajo shprehet e vendosur që të mos lejojë që kjo ta ndryshojë!