Edlira Harizi – Politika e shëndetësisë, mes respektit profesional dhe dështimeve në zbatim!

Edlira Harizi – Politika e shëndetësisë, mes respektit profesional dhe dështimeve në zbatim!

Në një bisedë të sinqertë në kuadër të fushatës zgjedhore, doktoresha Edlira Harizi ndau mendimet e saj rreth marrëdhënieve profesionale në sistemin shëndetësor dhe zhgënjimeve që ka si qytetare dhe profesioniste ndaj politikave shëndetësore të qeverisë aktuale. Duke folur për kolegen e saj, doktoreshë Klodiana Spahiun, Harizi theksoi respektin dhe vlerësimin e ndërsjellë mes mjekëve, duke nënvizuar se përkundër bindjeve politike, marrëdhëniet profesionale kanë mbetur të paprekura. “E respektoj shumë dhe marrëdhëniet midis kolegeve janë vërtetë shumë të mira,” – tha Harizi, duke vënë theksin tek etika dhe solidariteti brenda mjedisit spitalor.

Por kur biseda kalon në planin politik, doktoresha Harizi nuk e fsheh zhgënjimin e saj. Ajo shpreh rezerva të forta ndaj qeverisë, veçanërisht në lidhje me premtimin për “shëndetësi falas”, të cilin e cilëson si një ndër politikat më dëmtuese për sistemin. “Ajo karta e shëndetësisë falas i vendosi kazmën sistemit,” – deklaroi ajo, duke argumentuar se kjo politikë u shoqërua me një mesazh të rrezikshëm: “mos paguani siguracione”. Sipas saj, siguracioni shëndetësor është hallka kryesore që lidh sektorin publik me atë privat dhe është themeli mbi të cilin duhet ndërtuar një sistem funksional e gjithëpërfshirës për pacientët. “Shëndetësia duhet të ofrojë sistem publik, por të jetë edhe rregullatore në privat,” – theksoi Harizi, duke shtuar se përmirësimi i sistemit kërkon politika të qarta dhe përgjegjësi reale. Në këtë kontekst, ajo e sheh të pajustifikueshme rikandidimin e figurave politike që kanë qenë pjesë e këtyre dështimeve.

Biseda e plotë:

Edlira: Është doktoreshë Klodi. Është kolegia ime. E respektoj shumë dhe marrëdhëniet midis kolegeve janë vërtetë shumë të mira.
Aldo: Nuk ka ndikuar për keq politika në këtë aspekt?
Edlira: Jo, sigurisht. Në marrëdhëniet si kolege janë vlerësimi dhe respekti reciprok për njëra-tjetrën, ka vazhduar gjithmonë dhe ashtu vazhdojnë, mendoj unë. S’ka arsye pse jo. Por pastaj, për Klodin si politikane, kam rezervat e mia dhe duhet t’i them. Ajo nuk duhet të kërkojë të marrë mandat ajo dhe qeverisja e të cilës është dhe ajo pjesë, prej premtimeve që nuk janë mbajtur.
Aldo: Cilat premtime mendon që nuk janë mbajtur, të paktën në aspektin e shëndetësisë?
Edlira: Në aspektin e shëndetësisë? Po si jo! Shëndetësia falas nuk është mbajtur fare!
Aldo: Mendon që nuk është zbatuar kjo?
Edlira: Absolutisht jo! Ajo karta e shëndetësisë falas, që për mendimin tim i vendosi kazmën sistemit shëndetësor, sepse tha “mos paguani siguracione”. Shëndetësia duhet të ketë politika të mira shëndetësore, t’u ofrojë njerëzve sistemin publik, sepse shteti sistemin publik ka në dorë, por sigurisht të jetë rregullator edhe në sistemin shëndetësor privat. Si do jetë rregullator? Me siguracionin shëndetësor. Ai është hallka për mua dhe gjithë profesionistët e shëndetësisë. Siguracioni shëndetësor është hallka që lidh sistemin publik dhe privat, është guri i themelit për t’i dhënë shërbim pacientit.