Edlira Harizi – Mjekja që nuk mbyll telefonin asnjë sekondë! Për qytetarët jam thjesht Eda!

Edlira Harizi – Mjekja që nuk mbyll telefonin asnjë sekondë! Për qytetarët jam thjesht Eda!

Në një kohë kur premtimet elektorale shpesh tingëllojnë si skenarë të tejkaluar filmash fushatash, neurologia dhe kandidatja për deputete në Durrës, Edlira Harizi (Shemsi) ose siç e njohin të gjithë qytetarët, Eda sjell një qasje krejtësisht ndryshe: njerëzore, modeste dhe thellësisht e lidhur me realitetin.

Gjatë një bisede të sinqertë në RevoCast, Harizi rrëfeu se edhe pse në fletën e votimit figuron me emrin e plotë “Edlira Harizi Shemsi”, për qytetin ajo mbetet thjesht Eda mjekja, mikja dhe dëgjuese e përhershme e problemeve të njerëzve.

Unë nuk premtoj gjëra të jashtëzakonshme,” – tha ajo, – “premtoj që do jem zëri i tyre. T’i dëgjoj me urtësi, çdo problematikë, çdo shqetësim që ata kanë. Dhe mbi të gjitha, të luftoj që të realizohen, jo thjesht të identifikohen.

Një dëshmi e drejtpërdrejtë për këtë përkushtim vjen edhe nga gazetari Aldo Mustafa, i cili zbulon prapaskenat e përgatitjes së episodit të tyre të përbashkët për podcastin RevoCast.
Kemi katër ditë që përgatitemi për këtë episod dhe çdo ditë më duhet ta pres Edlirën nga pesë deri në gjashtë orë, sepse ajo është gjatë gjithë kohës në telefon me njerëzit. Nuk ndalet së komunikuari me qytetarë, pacientë, të afërm, me këdo që i drejtohet.

Në mënyrë të natyrshme, Edlira e konfirmon këtë:
Edhe pse nuk jam në spital për momentin, telefonin e kam të hapur në çdo sekondë. Mjekësia është prioriteti im. Nuk mund ta mbyll telefonin, sepse pacientët e mi më kanë besuar jetën e tyre. Ata më kanë bërë kjo që jam.

Mes modestisë dhe përgjegjësisë, Edlira Harizi nuk flet për veten me tituj të mëdhenj apo fjalë bombastike. Ajo flet me zërin e një qytetareje që e di se çfarë do të thotë t’i përgjigjesh dhimbjes, ankthit dhe nevojës së tjetrit – jo vetëm si mjeke, por si një përfaqësuese që dëshiron të jetë e dobishme edhe në një tjetër front: atë të zgjidhjes së problemeve të përbashkëta.

Biseda e plotë:

Edlira Harizi (Shemsi): Të gjithë në Durrës më njohin me emrin Eda, por ju e thatë saktë që në fletën e votimit emri im është Edlira Harizi Shemsi. E para gjë për qytetarët e mi? Çfarë do të bëj më shumë? Unë nuk premtoj gjëra të jashtëzakonshme. Premtoj që do të jem zëri i tyre. Do t’i dëgjoj me durim dhe urtësi për çdo problematikë, çdo shqetësim që ata kanë — dhe mbi të gjitha, nuk do të mjaftohem thjesht me identifikimin e tyre, por do të luftoj që të zgjidhen.

Aldo Mustafa: Unë do të doja të shtoja diçka, thjesht për të konfirmuar çfarë lloj njeriu është Edlira. Kemi katër ditë që përgatitemi për ta bërë këtë podcast, dhe çdo ditë më duhet ta pres nga 5 deri në 6 orë, sepse ajo është gjatë gjithë kohës në telefon, duke iu përgjigjur qytetarëve dhe duke ndihmuar njerëzit.

Edlira Harizi (Shemsi): Dëgjo, në këtë periudhë nuk jam fizikisht në spital, por telefonin e kam të hapur në çdo sekondë. Mjekësia mbetet prioriteti im. Nuk mund ta mbyll telefonin as për një sekondë, sepse pacientët e mi më kanë besuar jetën. Ata më kanë bërë kjo që jam sot.