
Mbrëmjen e së shtunës, qendra e qytetit të Shijakut u shndërrua në një skenë të madhe bukurie dhe elegance, teksa u mbajt me sukses edicioni i konkursit “Miss dhe Mister Shijaku”. Nën ritmet e muzikës dhe nën duartrokitjet e një publiku të zjarrtë, u përzgjodhën më të bukurit e këtij edicioni: Leorena Koni si Miss Shijaku dhe Savio Gulasi si Mister Shijaku për vitin 2025.
Në këtë spektakël konkurruan të rinj e të reja, nga Shijaku dhe zonat përreth. Atmosfera ishte elektrizuese, dhe publiku i shumtë, një pjesë prej të cilit qëndroi në këmbë për të ndjekur spektaklin, dëshmoi për suksesin dhe pritshmërinë e lartë që ky event tashmë ka krijuar në komunitet.

Kryetari Elton Arbana dhe Bashkia e Shijakut ishin mbështetësit kryesorë të spektaklit, duke dëshmuar përkushtimin ndaj kulturës dhe promovimit të rinisë.
“Mbrëmë Shijaku u ndriçua nga dritat e skenës dhe entuziazmi i të rinjve që morën pjesë në spektaklin “Miss & Mister Shijaku 2025”. Urime të gjithë konkurentëve për performancën dhe një përgëzim të veçantë për fituesit e këtij edicioni që do të përfaqësojnë Shijakun në evente të tjera. Me fotot nga ky spektakël ju uroj të diel të bukur!” shkroi Arbana në një status në Facebook.
Por përtej një gare estetike, eventi kishte një qëllim të thellë shoqëror dhe emancipues. Siç theksoi producentja e konkursit, znj. Myzejen Konduri, ky aktivitet është një reagim ndaj mentalitetit ende të mbyllur që ekziston në disa zona të Shqipërisë së mesme. “Është për të ardhur keq që edhe në vitin 2025, shumë vajza dhe gra mbyllen brenda katër mureve të shtëpisë. Ky spektakël është një hap drejt ndryshimit, një ftesë për të parë të bukurën si forcë për përfshirje dhe zhvillim,” u shpreh Konduri.

Fituesit Leorena Koni dhe Savio Gulasi do të përfaqësojnë Shijakun në eventin kombëtar “Miss dhe Mister Turizmi”, ku do të kenë mundësinë të shfaqin jo vetëm bukurinë, por edhe karakterin dhe vlerat e një brezi të ri që synon t’i japë një fytyrë më moderne Shqipërisë.

