Artistë nga bota, në festivalin e parë ‘busking’ në Shqipëri! Performancat e rrugës sjellin argëtim në Tiranë dhe Vlorë

Artistë nga bota, në festivalin e parë ‘busking’ në Shqipëri! Performancat e rrugës sjellin argëtim në Tiranë dhe Vlorë

Muzikë live, futboll në stil të lirë, zhonglime, akrobaci, komedi, magji e jo vetëm janë sjellë për publikun shqiptar për katër ditë gjatë edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Artit të Rrugës, “Busking Balkans: Albania 2025”. Artistë nga vende të ndryshme të botës, që nga Australia, Argjentina, Japonia, por edhe Italia ishin ndër pjesëmarrësit në festivalin e mbajtur në Tiranë dhe Vlorë.

Një çift artistësh nga Argjentina, sollën për publikun numra të ndryshëm komedie, ku përfshiheshin edhe akrobaci dhe gjuajtje me hark.

“Shfaqja jonë është për një publik të gjerë: fëmijë, të rritur. Ne kemi një shkollë teatri në Argjentinë, bëjmë edhe shfaqje teatri prej shumë vitesh: në qendra kulturore, në rrugë… Ajo që na pëlqen sa i përket shfaqjeve të rrugës është se janë për këdo, jo vetëm për ata që paguajnë, është për marrëdhëniet njerëzore.”, – shprehen ata, ndërsa thonë se shqiptarët nuk janë mësuar shumë me artin e rrugës, megjithatë janë të lumtur që ky festival po organizohet edhe në vendin tonë.

Francesco është gjithashtu një artist busking, i cili gjatë shfaqjes së tij interpreton një ‘mumje’ që nuk flet. 

“Është hera ime e parë në Shqipëri por kam shumë miq shqiptarë dhe jam i emocionuar dhe i lumtur që jam këtu, Është e vështirë sepse nuk flas dhe duhet të përdor gjuhën time të trupit.”, – thotë ai.

Ndërsa Martini nga Polonia është mjeshtër sa i përket shfaqjeve të zjarrit dhe performon në rrugë me kohë të plotë.

“Kam filluar si xhongler 24 vjet më parë. Eksploroj shfaqjet me zjarr dhe e bëj këtë gjë prej rreth 15 vitesh. Disa herë ka vështirësi, edhe financiarisht, por është fantastike.”, – tregon ai.

Organizuar nga shoqata ‘Kultura në Lëvizje’ festivali vjen në partneritet me organizatën BUSKING.PL nga Polonia, njësi veterane dhe e mirënjohur në skenën busking europiane.Si hap të parë, shoqata shqiptare themeloi njësinë e produksionit balkanbusker.com, ndërsa si simbol i njësisë u përzgjodh Qerosi, heroi popullor i sa e sa tregimeve dhe barcaletave, gjithmonë hero i popullit të thjeshtë dhe hokatar.

“Në edicionin e parë të Busking Balkans marrin pjesë performues ndërkombëtaarë nga Japonia, Bullgaria, Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe vende të tjera. Gjëja më e bukur rreth buskers është se performojnë kudo dhe siç e shihni nuk ka skenë, gjithçka mund të shërbejë si skenë. I ngjan një lloj teatri grek dhe njerëzit mund ta shijojnë kudo.  Kam jetuar në Athinë, shumë afër një rruge ku performojnë vazhdimisht artistë të rrugës, më së shumti muzikantë dhe për mua ishte mahnitëse t’i shihj dhe shijoja artin e tyre. Në rrugë nuk ka limite dhe mund të improvizosh.”, – thotë Małgorzata Węglarz, drejtuese e “Busking Poland”.

“Është një festival që ka lodhje se duhet të sjellësh 9 artistë nga gjithë vendet e botës. Mendoj që në vitet në vijim do të rrisim më tepër festivalin dhe ta shtrijmë edhe në qytete të tjera dhe vende të tjera të Ballkanit.”, – thotë moderatori Ardian Pojani.

Një gjë interesante është që në këtë festival nuk merr pjesë asnjë artist shqiptar.

“Në Shqipëri nuk performojnë në rrugë. Mbase janë disa artistë në Shqipëri që mendojnë të performojnë në rrugë por nuk dinë si të fillojnë dhe duan të shohin se si mund të shkojë dhe se si pritet një shfaqje e tillë.”, – shprehet Małgorzata Węglarz.

“Urojmë që dhe artistë shqiptarë t’i afrohen këtij festivali në vitet në vijim.”, – thotë Pojani.

Busking është më tepër se sa art në rrugë. Me rrënjë në folklorin mesjetar europian, busking është arti i kombinimit të disiplinave të shumëfishta artistike me qëllim argëtimin dhe përfshirjen e publikut.