Nga Denis Dyrnjaja
Pushteti kjo drogë e pashtershme!
Mes Sali Berishës dhe Statutit të PD, dorëhiqet statuti. Nëse e merr kuptimin e parë të kontekstit të shkruar, kjo fjali nuk ka kuptim, por nëse e shndërron në terma realë, për rastin e PD kjo aksiomë merr kuptim. Statuti i Partisë Demokratike, neni 46/pika 8 thotë: në rastin e shpalljes së rezultatit përfundimtar për zgjedhjet e përgjithshme, partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati i kryetarit të partisë përfundon menjëherë dhe kryetarit që i përfundon mandati nuk i lejohet rikandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.
Këtë nen specifik Sali Berisha e ka pagëzuar edhe si neni Basha për të lënë të kuptohet se ajo që ka ndodhur më parë me ish Kryetarin e PD Lulzim Basha që humbiste zgjedhjet e nuk merrte përgjegjësi e të dorëhiqej, nuk ka për të ndodhur më.
Por çështja është që Berisha e bën statusin e promovon si kushtetutë të partisë dhe e interpreton sipas interesit të tij, kur bëhet fjalë për vetë atë personalisht në përballje me detyrimet statutore. Në kohën e ndryshimeve por edhe përplasjeve të mëdha mes grupimeve në PD, pas zgjedhjeve të vitit 2021, Berisha të linte të kuptohej se po ideonte rithemelimin e një partie të hapur, demokratike ku mendësia liberale e djathtë me nuanca të spikatura konservatore, do të dominonte çdo vendimmarrje mbi bazën e statutit të ri.
Koha e vuri tani në sprovë Berishën me dështimin e dytë të tij në zgjedhjet e 11 majit. Pas humbjes në zgjedhjet lokale për të cilat tha se nuk mund ge dorëhiqej pasi statuti parashikon përgjegjësi me dorëheqje vetëm në rast humbjeje në zgjedhjet parlamentare erdhi ballafaqimi elektoral i radhës. Berisha tani kishte dhe vulën dhe selinë, madje arriti të gruponte rreth vetes të gjithë partinë, përfshirë dhe grupimin kundër që nuk kishte lënë kusur pa thënë për të dhe ai për ta. Zgjedhjet ndodhën, PD humbi sërish sikundër ishin të gjitha indikacionet dhe paralajmëronin të gjithë sondazhet, por Berisha mbeti përsëri aty si kryetar i pakallur.
Alibia ishte gati që të nesërmen e 11 majit, zgjedhjet u vodhën. Madje Berisha braktisi selinë e PD, para se të niste procesi i numërimit. Sinjalet nga terreni ishin dramatike. Humbje masive në të gjithë Shqipërinë. Çështja ishte se duhej të justifikonte humbjen për të mos dhënë dhe dorëheqjen.
U lëshua direktiva zgjedhjet u vodhën dhe manipuluan, zgjedhjet nuk do të njihen. Pra automatikisht nuk do të kishte as dorëheqje të Berishës si kryetar, sikurse parashikon në mënyrë taksative statuti i ri i PD. Askush nuk flet sot në SHQUP për këtë. Sigurisht as ata që murmurisin lartë e poshtë se më Berishën nuk fitojmë dot e nuk marrim dot pushtet. Të gjithë ecin sipas direktivës së udhëheqësit. Kurrsesi të pranohet ky rezultat zgjedhjesh i përcaktuar nga narkoshteti.
Askush nuk foli as për përgjegjësi dhe analizën e humbjes njësoj si në zgjedhjet e shkuara që u fol për pak ditë, por kurrë nuk ndodhi. Sepse më shumë se Berisha, faji është i dështakëve rreth tij që për të larguar përgjegjësinë për paaftësinë e tyre janë hedhur në ofensivë për të adresuar akuza për zgjedhje të manipuluara.
Edhe nëse ndodh kjo analizë të gjitha gjasat janë se do të jetë një retorikë me akuza ndaj mazhoramcës, jo përgjegjësi për veten ndaj humbjes. E gjithë kjo që servilët e tij të shpëtojnë Berishën, dhe anasjelltas Berisha ata. Kështu dalin të gjithë me fitore përveç PD që humbi sërish zgjedhjet dhe do të jetë edhe 4 vjet në opozitë.
Tani vijmë te momenti që duhet të supozojmë dhe të pranojmë apriori se Edi Rama dhe PS i vjedhin ose manipulojnë zgjedhjet. Dhe pyetja që vjen natyrshëm është: dhe sa palë zgjedhje duhet të vazhdojë Berisha kryetar i PD që të gjejë çelësin sesi të mos i vjedhë apo manipulojë Rama zgjedhjet dhe pastaj të shohim edhe nëse PD është fituese apo jo?!
Po përgjegjësi për mos garantimin e votës së opozitës në zgjedhje a mban kryetari PD dhe koalicionit opozitar, që ka garantuar çdo palë zgjedhje se janë marrë të gjitha masat që do të ruhet çdo votë dhe se vullneti i popullit në kuti do të jetë i paprekshëm? Po për këtë dështim që justifikohet nga drejtuesit e dështimit politik të PD, që nuk kemi tagër të ndalojmë apo arrestojmë njerëz që abuzojnë ditën e zgjedhjeve mban kush përgjegjësi, kryetari veçanërisht? A duhet qoftë edhe për këtë dështim strategjik të japë dorëheqjen Berisha, qoftë dhe se nuk menaxhoi dot mbarëvajtjen e strukturave të partisë në zgjedhje?
Partia Demokratike që kurrë nuk u ngrit në nivelin e emrit që ka, pra të ishte dhe të ekzistojë si demokratike duhet të gjejë kurajë të dalë nga pengmarrja psiko/mentale e fiksasionit se nuk funksionon dot nëse atë nuk e drejton Sali Berisha. Njerëzit që militojnë në atë parti duhet të dalin nga kompleksi që janë fajtorë apo përgjegjës dhe të gjithë duhet t’i nënshtrohen rregullave dhe përgjegjësive, përveç Berishës.
Madje në atë parti marrëzia arrin deri në pikën kur shumë elementë pranojnë se partia është në një rrëpirë të rrezikshme dhe tkurrjeje nga dekadenca dhe njerëz që vegjetojnë prej vitesh, por Berisha jo. Ndërkohë të gjithë këta vegjetues që janë kosto dhe peshë e panevojshme për PD dhe për rrjedhojë opozitën janë në fakt aty me bekimin dhe mbështetjen e posaçme të Sali Berishës.
Ndaj përtej asaj që thotë statuti, gjithçka në atë parti është formale, është e pavërtetë, është e pasinqertë dhe për rrjedhojë prodhon edhe një absurd që të gjithë e dinë kush është problemi, ku qëndon problemi dhe madje si zgjidhet problemi, por në fund fajin e ka Edi Rama që u vjedh zgjedhjet. Kështu kalojnë vitet duke u vetësugjestionuar se jemi fitues pavarësisht se certifikohen si humbës dhe beteja me mullinjtë e erës në emër të misionit madhor për të rikthyer demokracinë vazhdon.
Sa më gjatë në politikë të vazhdojë Sali Berisha aq më të vështirë duket se do ta ketë jetën në pushtet Edi Rama. Ky i fundit e di se çfarë po heq ngaqë opozita e Berishës dhe njerëzve të tij ia kanë futur Ramës këmbët në njërën këpucë dhe ai nuk po di sesi do ja bëjë dhe 4 vjet që e çojnë qenien e tij 16 vjet në pushtet. Rama/Berisha një dyshe ëndrrash në politikën shqiptare, që sodisin popullin në dritare. Pushteti kjo drogë e pashtershme!