Më datë 25 maj 2025, në orën 18:00, në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës, nxënësit e klasës III-B të shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini” vunë në skenë për herë të parë një shfaqje teatrale me karakter sensibilizues dhe edukativ, titulluar “Fluturimi i njëbrirëshit me krokodilin”.
Shfaqja, me autore Dituri Nezirajn dhe nën regjinë e Alma Demës, u konceptua si një ndërmarrje sociale për të përçuar mesazhe të forta mbi miqësinë, dashurinë, guximin dhe përballimin e sfidave personale. Puna organizative dhe “backstage” u realizua me përkushtim nga mësuesja e klasës, Enkeleda Shahini dhe mësuesja e edukimit fizik, Denisa Gajda.
Përmbajtja e pjesës i çoi shikuesit në një botë imagjinare, ku një njëbrirësh largohet nga shtëpia pa leje për të eksploruar botën, por humbet fuqinë për të fluturuar, fuqi e cila qëndron në bririn e tij, që ndriçon vetëm kur rrethohet nga dashuria. Në Pyllin e Gjelbër, ai takon miq të rinj, zogjtë binjakë Zig dhe Zag dhe Krokin, djalin e mbretit të pyllit, të cilët i qëndruan pranë me besnikëri dhe sakrificë, duke nxjerrë në pah vlerat e solidaritetit dhe dashurisë së pakushtëzuar.
Shfaqja kishte për qëllim të ndërgjegjësonte fëmijët mbi rëndësinë e përvojave të reja, ndërtimin e marrëdhënieve dhe pasojat e veprimeve të tyre, përmes një fabule të ndjeshme dhe të kuptueshme për moshën e tyre.
E veçanta e kësaj nisme ishte që të ardhurat e mbledhura nga shitja e biletave iu dedikuan fëmijëve talasemikë, duke e kthyer kështu këtë ngjarje kulturore në një akt solidariteti konkret. Ky ishte prezantimi i dytë në skenë nga ky grup nxënësish dhe organizatorësh, të cilët edhe më parë kishin organizuar një shfaqje me të njëjtin qëllim sensibilizues.
Ky aktivitet jo vetëm që dëshmoi potencialin artistik dhe edukativ të fëmijëve të klasës III-B, por edhe thelloi frymën e përgjegjësisë sociale në komunitetin e Durrësit.