Grupi i muzikës jazz “Aperitivo Italiano” performon në Berat hitet e paharrueshme

Grupi i muzikës jazz “Aperitivo Italiano” performon në Berat hitet e paharrueshme

Berati, qyteti i trashëgiminë kulturore, hapi dyert për të mirepritur artistët italiane. Në një mbrëmje të veçantë muzikore, grupi “Aperitivo Italiano” mbushi sallën me tingujt e jazz-it dhe soul-it.

Marco Rossin, Francesco Clemente dhe Alessandro Vuono ofruan një performancë plot elegancë dhe profesionalizëm, duke interpretuar si pjesë të njohura të muzikës italiane, ashtu edhe krijime nga repertori i tyre ndër vite.

Koncerti u prit ngrohtësisht nga artdashësit beratas, ndër ta edhe nxënës të shkollës së muzikës, të cilët ndoqën me vëmendje çdo interpretim.

I pranishëm ishte Konsulli i Italisë në Vlorë, Achille Provenzano, i cili vleresoi rolin e muzikës si urë lidhëse mes dy kulturave.

“Objekti i kësaj jave, të kulturës italiane në Shqipëri, është të forcojmë bashkëpunimin, ku do të ketë pjesëmarrje më të gjerë të të rinjve. Sot jemi në Berat, më pas në Gjirokastër e Butrint për ta mbyllur me festivalin në Tiranë më 8 qershor”, tha konsulli.

Koncerti u organizua nga Konsullata Italiane në Vlorë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Bashkinë Berat dhe Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani”.

Java Italiane do të vijojë me aktivitete të tjera kulturore në qytete të ndryshme të vendit, duke forcuar lidhjet artistike mes Italisë dhe Shqipërisë.