Kuajt e detit në rrezik: Trafikimi i specieve detare po lulëzon në heshtje

Kuajt e detit në rrezik: Trafikimi i specieve detare po lulëzon në heshtje

Trafikimi i kuajve të detit po ndodh në një shkallë alarmante, duke u bërë pjesë e një tregu të paligjshëm global me vlerë rreth 20 miliardë euro në vit. Gjatë dekadës së fundit, autoritetet kanë sekuestruar afro pesë milionë kuaj deti, me një vlerë të përllogaritur prej mbi 18.5 milionë eurosh – një shifër tronditëse që, sipas studiuesve, përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të realitetit.

Një studim i ri i botuar në revistën Conservation Biology ka zbuluar se këto krijesa delikate detare po kontrabandohen në mënyrë të vazhdueshme në 62 vende të ndryshme, kryesisht për tregun e mjekësisë tradicionale në Azi. Por tani rrjetet e trafikimit po shtrihen edhe në Evropë dhe Amerikën Latine, duke dëshmuar për një fenomen me përmasa gjithnjë në rritje. Trafikantët i fshehin kuajt e detit të tharë apo të gjallë në bagazhe ose i transportojnë përmes rrugëve detare, ku kontrollet janë më të pakta dhe më të lehta për t’u shmangur.

Ekspertët paralajmërojnë se ky aktivitet i paligjshëm po dëmton rëndë biodiversitetin detar. “Ajo që po shohim është vetëm maja e ajsbergut,” thotë Dr. Sarah Foster nga Projekti Seahorse në Universitetin e British Columbia. Sipas saj, mungesa e të dhënave të plota dhe vullneti i ulët për zbatim të ligjit i japin trafikantëve hapësirë për të vepruar lirshëm.

Kuajt e detit kanë qenë për shumë kohë pjesë e mjekësisë tradicionale, veçanërisht në Kinë dhe Hong Kong, ku thahen, bluhen në pluhur dhe përdoren për trajtimin e një sërë sëmundjesh. Ndërkohë, rregullimi i tregtisë së tyre është i dobët edhe pse tekniksht ajo është e ligjshme nëpërmjet marrëveshjes ndërkombëtare CITES. Lejet për eksport shpesh mungojnë ose falsifikohen, ndërsa dënimet për trafikantët janë të rralla dhe shpesh të papërfillshme.

Rastet e sekuestrimeve tregojnë një lidhje të qartë të këtij trafikimi me krimin e organizuar global. Kuajt e detit shpesh transportohen së bashku me fildish, luspa pangolini apo edhe zvarranikë të rrallë. Në disa raste, trafikantët janë kapur duke transportuar kafshë të gjalla nën rroba ose në valixhe, ndërsa në të tjera, mijëra insekte të rralla janë kontrabanduar përmes kufijve.

Ndërsa komuniteti ndërkombëtar përpiqet të reagojë, studiuesit kërkojnë masa më të ashpra dhe hetime më efektive. “Të gjitha vendet duhet të ndërmarrin hapa të fuqishëm parandalues – punë të mirë detektive, zbatim të vendosur të ligjit dhe dënime kuptimplote,” thotë Dr. Teale Phelps Bondaroff nga organizata OceansAsia. Në të njëjtën kohë, studiuesit theksojnë nevojën për alternativa të qëndrueshme për komunitetet bregdetare që varen nga deti, në mënyrë që ruajtja të jetë edhe ekonomikisht e mundur.

Mes indiferencës dhe mungesës së monitorimit, kërcënimi ndaj kuajve të detit është një simptomë e një problemi më të madh: degradimi i vazhdueshëm i biodiversitetit detar dhe përfshirja gjithnjë e më e thellë e specieve detare në ekonominë globale të krimit.