Një grup prej 21 familjesh në Shijak janë kualifikuar për të përfituar kredi të buta në formë granti për blerjen e banesave sociale, falë një programi të financuar nga Qeveria Shqiptare përmes Fondit Social. Kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana, bëri me dije lajmin përmes një njoftimi zyrtar, duke theksuar se kjo është një mbështetje konkrete për familjet në nevojë dhe për të rinjtë që po ndërtojnë jetën në qytetin e tyre.
Thirrja për aplikim u hap në dhjetor të vitit 2024 dhe u administrua përmes platformës qeveritare e-Albania. Nga 25 aplikime të regjistruara, 21 familje plotësuan kriteret për përfitim, ndërsa 4 familje hoqën dorë vullnetarisht nga aplikimi.
Këshilli Bashkiak i Shijakut miratoi sistemin e pikëzimit dhe procedurat për përzgjedhjen e përfituesve. Emrat e familjeve përfituese u votuan në mënyrë unanime nga këshilli. Fillimisht, Fondi Social kishte garantuar mbështetje për 6 familje, por për shkak të kërkesës së lartë dhe plotësimit të kushteve nga të gjithë aplikantët, Bashkia e Shijakut paraqiti kërkesë për mbështetje edhe për 15 familjet e tjera.
Kryetari Arbana shprehu mirënjohje ndaj qeverisë dhe kryeministrit për vëmendjen e treguar ndaj nevojave të komunitetit, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi ndërmjet pushtetit vendor dhe atij qendror në garantimin e të drejtës për strehim.
Ai njoftoi gjithashtu se së shpejti do të hapet faza e radhës e programit, e cila do të fokusohet tek aplikantët e pastrehë, me qëllim që çdo familje në territorin e Shijakut të ketë një mundësi reale për të pasur një banesë të sigurt.
Ky projekt përfaqëson një angazhim të vazhdueshëm për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe sistemimit të familjeve që ndodhen në vështirësi ekonomike.
Postimi i plotë i Kryetarit të Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana:
Fituesit për kreditë e buta për familjet aplikuese në Shijak.
✔️ Qeveria përmes Fondit Social, ka sjellë kredi të buta në formë granti për blerjen e banesave sociale, në kuadër të thirrjes së hapur të dhjetorit 2024.
📌 Ftesa ishte për të gjithë qytetarët që të aplikonin në e-Albania dhe rezultoi se 25 familje u regjistruan për të përfituar nga kjo mundësi.
Këshilli Bashkiak i Shijakut miratoi sistemin e pikëzimit dhe procedurat për përzgjedhjen dhe nga këto aplikime, 21 familje u kualifikuan për përfitim (4 familje hoqën dorë vetë). Emrat e familjeve u votuan unanimisht në Këshillin Bashkiak.
🖋 Fondi social ka siguruar fillimisht mbështetje për 6 familje, por duke qenë se kërkesa ishte më e madhe dhe të gjithë plotësuan kushtet, me vendim të Këshillit Bashkiak u bë kërkesë për ndihmë edhe për 15 familjet e tjera.
🙏 Falenderojmë Qeverinë dhe Kryeministrin për vëmendjen e veçantë që i japin familjeve të reja dhe për këtë ndihmë që po realizohet në Shijak!
🔸️ Shumë shpejt do të jetë hapi i radhës i Programit për aplikantët që janë të pastrehë, me qëllim sistemimin e çdo familje në Shijakun tonë.
❤️ Shijaku, familja jonë e madhe!
