Premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri” sonte në Amfiteatrin e Durrësit – Biletat e natës së parë tashmë të shitura

Premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri” sonte në Amfiteatrin e Durrësit – Biletat e natës së parë tashmë të shitura

Sot në orën 21:00, në ambientin magjepsës të Amfiteatrit të Durrësit, ngjitet në skenë premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri”, një vepër e autorit francez Jean Pierre Martinez, sjellë në shqip nga përkthyesja Anxhela Cikopano dhe vënë në skenë nën regjinë e Andia Xhungës.

Interesi i publikut ka qenë i menjëhershëm: të gjitha biletat për natën e parë janë shitur që një ditë më herët, duke e kthyer shfaqjen në një prej ngjarjeve më të shumëpritura të verës në qytetin bregdetar.

E vendosur në një fshat të vogël dhe të harruar, që rrezikon të fshihet përfundimisht nga harta, ngjarja nis kur një gazetare e famshme mbërrin papritur, duke sjellë me vete një sërë përplasjesh botëkuptimesh, ngjarjesh të papritura dhe situatash komike që sfidojnë logjikën e përditshme. Një tablo shoqërore me ngjyra absurde, por thellësisht njerëzore.

Me humor të hollë dhe ritëm të gjallë, komedia ngre pyetje mbi ekzistencën, kujtesën kolektive dhe marrëdhënien mes realitetit dhe absurditetit.

Skenografia dhe kostumografia janë konceptuar nga Alketa Tragaj, ndërsa muzika origjinale është krijuar nga Endri Sina. Promoja video e shfaqjes, e realizuar nga Florian Agalliu, ka shtuar më tej kuriozitetin për atmosferën që publiku do të përjetojë sonte.

Në kastin e aktorëve spikasin disa nga emrat më të dashur të skenës dhe ekranit shqiptar:
Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Aleksandër Seitaj, Ervin Doko, Amos Zaharia, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Xhejni Fama dhe Jaho Guma, një trupë që garanton humor inteligjent, profesionalizëm dhe emocion.

“Vendi më i humbur në Shqipëri” pritet të jetë një prej kulmeve të sezonit teatror të kësaj vere, me një mesazh që mbetet gjatë edhe pasi duartrokitjet pushojnë.

Sot, Durrësi qesh dhe mendon.
Mos e humbisni!