Expo 2025 – Në kutinë pa gravitet, Elton Ilirjani bëhet simboli i njeriut të së ardhmes

Expo 2025 – Në kutinë pa gravitet, Elton Ilirjani bëhet simboli i njeriut të së ardhmes

Në skenën globale të Expo 2025 Osaka, një nga ngjarjet më të rëndësishme botërore të artit, teknologjisë dhe vizionit për të ardhmen, u ngjit me finesë dhe guxim një emër shqiptar që tashmë është kthyer në simbol të lirisë dhe barazisë: Elton Ilirjani. Me një prezencë që sfidon normat dhe ngjall reflektim, ai rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve në mënyrën më autentike dhe të pazakontë.

Modeli dhe aktivisti i njohur për kauzat e barazisë gjinore, Ilirjani solli në Japoni një performancë artistike që ishte më shumë se spektakël, ishte një deklaratë, një përjetim emocional, një vizion i së ardhmes. I ftuar në instalacionin artistik “Zero Gravity Box”, krijuar nga artistja dhe dizajnerja e famshme japoneze Naoko Tosa, Eltoni u bë pjesë e një hapësire futuriste ku çdo koncept i zakonshëm për trupin, gjininë dhe realitetin sfumohej, për t’i lënë vend ndjesisë së pastër të qenies.

Brenda kësaj “kutie pa gravitet”, ku tingujt, dritat dhe teknologjia ndërthureshin në një simfoni përjetimesh, vizitorët përfshiheshin në një përvojë poetike dhe shqisore që evokonte lindjen, qetësinë e barkut amnor dhe idenë e një bote pa ndarje. Ilirjani, me një kostum të dizajnuar enkas nga vetë Tosa dhe fytyrën e zbukuruar me kristale blu, u shfaq si një figurë simbolike e njeriut të së ardhmes, pa gjini, pa kufij, por plot identitet.

“Ndjeva rrahjet e zemrës sime brenda kutisë. Ishte si të isha sërish një fetus… më dha ndjesinë e universit,” – rrëfeu Eltoni pas performancës, duke përshkruar thellësinë emocionale të asaj çka përjetoi.

Prej vitesh tashmë, Ilirjani është më shumë sesa një model që sfilon në pasarelat më të mëdha të botës, nga New York-u në Milano. Ai është zëri i një brezi që kërkon të jetojë me të vërtetën e vet, i pakompromis në misionin e tij për të sfiduar normat shoqërore dhe për të promovuar bukurinë si një e drejtë universale, pa kufizime gjinore.

Bashkëpunimi me Naoko Tosa-n, një artiste që njihet për aftësinë për të shndërruar teknologjinë në ndjenjë dhe formë, rezultoi në një simbiozë të mrekullueshme mes kulturave, mes traditës dhe inovacionit, mes mendjes dhe shpirtit. Tosa, e njohur ndërkombëtarisht për veprat e saj që ndërthurin artin digjital me filozofinë lindore, gjeti te Ilirjani partnerin ideal për të transmetuar një mesazh që kapërcen gjuhën dhe kohën.

Në një botë që ndryshon me ritme të frikshme, performanca e Elton Ilirjanit në Expo 2025 është një manifest i guximit për të imagjinuar një të ardhme ku secili është i lirë të jetë vetvetja. Një të ardhme pa gravitet shtypës, pa etiketime, por me dritë, ndjenjë dhe dashuri.