“Kjo botë shpirtnore vajzash e grashë…”, botohet antologjia! Jozef Radi: Bën përshtypje zgjedhja e gegnishtes në poezi!

“Kjo botë shpirtnore vajzash e grashë…”, botohet antologjia! Jozef Radi: Bën përshtypje zgjedhja e gegnishtes në poezi!

Nga Blerina Goce 

Secila prej tyre ka botuar të paktën një libër poetik pas vitit 2000, ndërkohë që vazhdojnë të shkruajnë poezi, edhe në këtë periudhë, kur botimi i poezive është diçka jo fort e mirëpritur nga tregu. Një pjesë e krijimtarisë së tyre është përmbledhur në një antologji poetike.

“Ne sollëm 29 autore me 11 poezi secila, ku secilës i është bërë një biografi e shkurtër dhe një analizë letrare e teksteve të paraqitura në libër. Nuk pretendoj të kem grumbulluar gjithçka por përpjekja ishte për të mos lënë asnjë autore që ka krijuar njëfarë zëri, jashtë këtij libri.”, – thotë për “Report TV”, Jozef Radi, kurator i antologjisë.

Sipas tij, produkti poetik femëror ka pasur një rritje sasiore dhe cilësore të dukshme në kohën e sotme, ndërkohë që një fakt shumë interesant është se shumë prej tyre kanë zgjedhur gegnishten si gjuhë për t’u shprehur.

“Gjuha e tyre është e habitshme. Pjesa më e madhe e autoreve kanë zgjedhur gegnishten si gjuhë komunikimi, që është një risi e rrallë e letërsisë shqipe, që në një libër me 29 autore, pjesa më e madhe kanë përdorur gegnishten për të shprehur emocionet e tyre, çka është risia thelbësore e këtij libri. Bie në sy që edhe gra dhe vajza, që i përkasin Shqipërisë së Jugut, shpesh herë kanë përdorur gegnishten si mjet komunikimi.”, -vëren Radi.

Në antologji janë përfshirë mjaft autore shqiptare, të cilat jetojnë në vende të ndryshme të botës, si dhe katër autore nga Kosova. Tematika në poezitë e tyre është e larmishme, që nga ajo sociale, trajtimi i problemeve të mprehta nëpër të cilat kalon shoqëria shqiptare, pa lënë mënjanë problemet sentimentale, të natyrës apo të një bote që ka qenë e ndrydhur dhe shpesh nuk i ka lënë hapësirën e duhur të lirisë dhe ballafaqimit me realitetin.

“Ky opus krijimtarie sjell diapazon gjithnjë e më të plotë të shpalosjes së shpirtit të gruas shqiptare. Titulli i librit është një ‘puzzle’, ku secila ka vënë ose një gur, ose një tullë a petale luleje në këtë vepër të vëllimshme antologjike.”

Ai thekon se gjeografia poetike shqiptare ka traditë në kohë dhe kjo antologji është një dëshmi e vazhdimësisë së saj në ngritje në këtë periudhë kur ka një krizë të vlerësimit të letrave shqipe.