Mbrëmjen e djeshme, në skenën e Teatrit “A.Z. Çajupi” në Korçë, në kuadër të Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë Koko Fest, është shfaqur komedia “Vendi më i humbur në Shqipëri” me regji të Andia Xhungës, duke përfaqësuar Teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Shfaqja është pritur me të qeshura të shumta, duartrokitje dhe ovacione të gjata nga publiku, duke e kthyer premierën në një nga momentet më të veçanta të natës. Pjesa teatrale, e shkruar nga dramaturgu francez Jean Pierre Martinez dhe e përkthyer në shqip nga Anxhela Çikopano, solli një komedi të gjallë, plot humor dhe situata satirike, të cilat kanë bërë që spektatorët të reagojnë me entuziazëm gjatë gjithë shfaqjes.

Subjekti trajton historinë e një fshati të harruar, i cili rrezikon të fshihet nga harta. Banorët, për të shpëtuar vendin e tyre, janë të gatshëm të ndërmarrin çdo lloj veprimi, por ardhja e gazetares së famshme sjell zhvillime të papritura dhe të pazakonta, që e shtyjnë komedinë drejt një absurdi zbavitës.
Rolin e tyre e kanë interpretuar me sukses:
Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Alex Seitaj, Ervin Doko, Amos Zaharia, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Xhejni Fama dhe Jaho Guma.

Skenografia dhe kostumet të realizuara për herë të parë në këtë standard janë realizuar nga Alketa Tragaj Myshketa, ndërsa muzika origjinale nga Endri Sina, duke i dhënë shfaqjes një dimension të plotë estetik dhe artistik.
Ky prezantim ka përforcuar edhe njëherë rolin e Teatrit “Aleksandër Moisiu” si një prej institucioneve më të rëndësishme kulturore në vend, që ka sjellë në “Koko Fest” një prodhim të nivelit profesional, duke fituar simpatinë dhe respektin e publikut korçar.

