‘Kur ndjenjat marrin zë’, Ermonela Jaho rikthehet në shtëpi

‘Kur ndjenjat marrin zë’, Ermonela Jaho rikthehet në shtëpi

Skena e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit pritet të ndriçohet sonte nga një udhëtim muzikor i rrallë, ku do të gjallërojnë kryevepra të mëdha të repertorit botëror. Verdi, Bellini, Donizetti, Puçini dhe emra të tjerë të pavdekshëm të muzikës klasike do të jenë pjesë e një programi unik, të sjellë nga sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho.

Artisja, e cila ka shkëlqyer në skenat më prestigjioze të botës, e quan këtë rikthim në vendin e saj një emocion të veçantë dhe njëkohësisht një sfidë. “Programi është menduar ndryshe, nga ‘bel canto’ deri te verismo. Janë pjesë që nuk janë ekzekutuar më parë nga orkestra apo kori i Teatrit të Operas dhe Baletit, ndaj është një përvojë sfiduese për të gjithë ne. Të performosh në shtëpinë tënde është një ndjenjë krejt tjetër, sikur të vëzhgosh veten me një lupë magjike,” – u shpreh Jaho.

Në prag të koncertit, ajo apeloi për më shumë mbështetje ndaj muzikës klasike në Shqipëri dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes artistëve shqiptarë. “Ne jemi një vend i vogël, por kemi nxjerrë talente të jashtëzakonshme. Kudo në botë gjen një solist shqiptar, nga Australia deri në Buenos Aires. Ajo që na mungon është bashkimi dhe vlerësimi i ndërsjellë,” tha ajo.

Koncerti mban titullin simbolik “Kur ndjenjat marrin zë”, dhe sipas sopranos, synon të prekë jo vetëm shpirtrat e publikut, por edhe të përcjellë emocionet më të thella njerëzore. “Muzika është për të gjithë. Opera nuk është vetëm për specialistët e muzikës, por për çdo njeri. Ajo është shfaqje e ndjenjave universale, të cilat i përkasin çdo shpirti,” – shtoi Jaho.

Mbrëmja do të udhëhiqet nga dirigjenti i njohur Fabrizio Maria Carminati, njëkohësisht drejtor artistik i Teatro “Massimo Bellini” në Catania. Krahas sopranos, në skenë do të ngjiten edhe kori dhe orkestra e TKOB, për një spektakël që tashmë ka tërhequr interesin maksimal të publikut, pasi biletat janë shitur prej ditësh.