
Agjencia e Parqeve Tiranë, organizoi një aktivitet letrar në instalacionin “Reja”, duke e kthyer hapësirën e njohur në një skenë të vogël leximi, krijimtarie dhe imagjinate.
Në këtë atmosferë të gjallë dhe plot energji, mbi 50 nxënës u bënë pjesë e një udhëtimi letrar në natyrë, ku libri u vendos në qendër të vëmendjes. Ata u njohën me librat më të rinj të shkrimtarit Flori Kasaj dhe me botimet e shtëpisë botuese “Argeta LMG”, duke lexuar, diskutuar dhe zbuluar botë të reja përmes fjalës së shkruar.

Flori Kasaj, i cili konsiderohet si autori më i ri në moshë në letërsinë shqipe për fëmijë në zhanrin prozë/përrallë, solli para fëmijëve, përrallën e tij plot fantazi, humor dhe ndjeshmëri. Me imagjinatën e pasur, ai tregoi se letërsia për fëmijë është një fushë që kërkon guxim, dashuri për librat dhe aftësi për të komunikuar me zemrën e lexuesit e vegjël.
Takimi me autorin u kthye në një bisedë frymëzuese, ku fëmijët bënë pyetje, ndanë përshtypjet e tyre për personazhet dhe folën për emocionet që u përcjell leximi. Diskutimet e hapura sollën ide të bukura dhe një dëshirë të re për të lexuar më shpesh kudo dhe në çdo formë.

Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në promovimin e autorëve të rinj shqiptarë dhe në nxitjen e kulturës së leximit te brezat e rinj. Përmes bashkëpunimit midis institucioneve publike, shkollave dhe botuesve, libri po kthehet në një urë që lidh krijuesin me lexuesin, qytetin me natyrën dhe fëmijët me ëndrrat e tyre.
Lexo kudo, lexo në park… sepse çdo vend mund të kthehet në një përrallë dhe çdo përrallë mund të frymëzojë një lexues të ri…
