Mal Berisha, Homazh për Musine Kokalarin

Mal Berisha, Homazh për Musine Kokalarin

MAL BERISHA: Sot, me rastin e promovimit të librit “MUSINE KOKALARI – NJË YLLËSI”, rikujtojmë figurën e shquar të rezistencës antikomuniste shqiptare: një grua që me guxim i tha botës një të vërtete të thjeshtë dhe të fuqishme, “NUK KAM NEVOJË TË JEM KOMUNISTE QË TA DUA VENDIN TIM.” Ky thirrje është një apel ndërgjegjeje ndaj të gjithë atyre që qëndrojnë indiferentë përballë fenomeneve që ushqejnë regjimet autoritare: diktaturë, autokraci, padrejtësi, tradhti, hajni, korrupsion, patronazhizëm, spiunim, servilizëm, konformizëm dhe abuzim. Është po ashtu një nderim për të gjithë qëndrestarët që luftojnë kundër tyre.

Si homazh ndaj këtyre qëndrestarëve, teksti që po publikoj vjen i përkthyer në shqip dhe shoqërohet me një video të inskenuar nga profesoresha Dr. Agata Fijalkowski (University of Leeds), interpretuar nga aktorja Alice Lloyd-Davis, një përpjekje artistike që, si theksohet, ende nuk është realizuar plotësisht nga artistë shqiptarë. Lavdi qëndrestarëve! Lavdi Musine Kokalari!

Dr. Agata Fijalkowski, studiuese e njohur nga Çikago, e lidhur me Shkollën Juridike të Leeds (që nga korriku 2019), njihet për kërkime ndërdisiplinore mbi dhënien e drejtësisë për të dëmtuarit e Luftës së Dytë Botërore në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Hulumtimet e saj mbështeten në punë arkivore të gjera dhe përfshijnë kërkime në Shqipëri, Gjermani, Poloni, Rumani dhe Britani të Madhe. Ajo është bashkëpunëtore në Institutin për Studime të Avancuara Ligjore (IALS).

Në Universitetin Lancaster, Dr. Fijalkowski ka skenuar një film të shkurtër me fjalën e Musine Kokalarit gjatë seancës gjyqësore kundër saj. Më 14 maj 2014, ajo mbajti një leksion për jetën e disidentes Musine Kokalari në Ambasadën Shqiptare në Londër, para përfaqësuesve të Ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës, Shoqatës Anglo-Shqiptare dhe Bashkësisë Shqiptaro-Britanike. Videoklipi i realizuar me aktoren britanike Alice Lloyd-Davis shërben si material ilustrues dhe përkujtues.

Homazhi rikthen edhe fragmente nga gjyqi popullor kundër Musine Kokalarit dhe grupit opozitar, ku shfaqen argumentet dhe përgjigjet që pasqyrojnë bindjet e saj politike dhe morale. Nga fjalët e gjykatësit e deri te përgjigjet e Musinës, del qartë përpjekja e një gruaje që kërkon drejtësi dhe shpreh bindjen se dashuria për vendin nuk lidhet me një bindje ideologjike të njëanshme.

Videoklipi është e realizuar me aktoren britanike Alice Lloyd – Davis (Bashkëlidhur)– KLIKONI KETU


NUK ËSHTË E NEVOJSHME TË JEM KOMUNISTE QË TA DUA VENDIN TIM

(Nga gjyqi popullor kundër Musine Kokalarit dhe grupit opozitar.)

GJYKATËSI I GJYKATËS SË POPULLIT:

Musine Kokalari jeni akuzuar për sabotazh dhe si një armike i popullit dhe e Pushtetit Popullor!
Dëshironi të bëni një deklaratë për t’u mbrojtur?

MUSINE KOKALARI:

I nderuar!
Krimi për të cilin jemi akuzuar unë dhe të pandehurit e tjerë, nuk është asgjë tjetër veçse fakti që i kemi dërguar një mesazh aleatëve perëndimorë, ku ju kemi shprehur dëshirën tonë që zgjedhjet në Shqipëri të shtyhen. Kjo nuk do të thotë se ne dëshirojmë të përmbysim regjimin aktual, me force, pra Pushtetin Popullor.
Ne, të 37 – të, të pandehurit, në bankën e të akuzuarve, jemi anëtarë të katër partive të ndryshme. Këto parti kanë bërë koalicion edhe pse kanë koncepte dhe ide të ndryshme shoqërore dhe politike.
Ky koalicion nuk është as bashkim, as shkrirje midis nesh. I nderuar zoti gjykatës!
Në vend të kësaj, ai është një angazhim moral midis palëve. Secili grup është i angazhuar në aktivitetet e tij që i përshtaten frymës së vet. Secili grup është përgjegjës për veprimtarinë e vet.
E vetmja gjë që kemi të përbashkët është kërkesa për shtyrjen e zgjedhjeve. Jemi në prag të rindërtimit të vendit tonë të dalë nga lufta me dëme të mëdha, me shumë plagë materiale e morale.
Jemi në prag të zbatimit të reformave sociale siç është ndryshimi i formës feudale të jetësës dhe krijimit të një shoqërie demokratike.
Partitë tona i duan këto reforma siç i do edhe Fronti Demokratik. Por ne duam të ekzistojmë veçmas nga ky front. Ne duam të jemi pjesë e një familjeje demokratike e cila ndjek një rrugë të qëndrueshme politike, drejt unitetit moral të pakicës dhe shumicës, ku ky grup i vogël partish gjen momentin e duhur për të dalë nga errësira në dritë.
Ne e pamë të arsyeshme të hartonim një program të përbashkët që është në përputhje me atë të Frontit.
Secila palë ka strukturën e brendshme të programit social dhe mënyrën e veprimtarisë së saj. Por ne jemi të të njetit mendim se zgjedhjet duhet të shtyhen.
Kjo do t’u japë partive të tjera mundësinë për t’u organizuar, për të bërë fushatë dhe për të pasur shansin që të luftojnë për të fituar zgjedhjet shumëpartiake.
Kjo është arësyeja se përse ato plane u hartuan bashkë me aleatët, në mënyrë që kjo opozitë dhe qëndrimi ynë zyrtar të respektohet dhe se nuk do të ketë manovra të pahijshme dhe se ky kundërshtim nuk do të injorohet.
Unë u ktheva në këtë gjykatë për t’u hetuar edhe një here për veprimtarinë time, prandaj:
Kërkoj drejtësi!
Nëse do të dënohesha për veprat e sipërpërmendura, unë do ta pranoja me kënaqësi dënimin më të ashpër ndaj meje!
Nuk është e nevojshme të jem komuniste që ta dua vendin tim.

GJYKATËSI:

Shpirti djallëzor i Musine Kokalarit njeh vetëm urrejtje ndaj popullit! A e dëgjoni se çfarë
thonë njerëzit për ju? Ata duan t’ju denojmë!

MUSINE KOKALARI:

Unë i dëgjoj ata, i nderuar!
Një ditë ata do të kërkojnë të njëjtën gjë edhe për ju.