Tetori që lamë pas mbylli me sukses muajin e librit, ndërsa Nëntori vjen me Panarin e Librit 2025.
Ka kohë që letërsia për fëmijë kërkon zëra të rinj, për ta rikthyer atë në vendin që i takon. Në këtë udhëtim, Flori Kasaj shfaqet si një nga autorët e rinj, por të talentuar që po sjell një revolucion që nuk vjen përmes zhurmës, por përmes fjalës së ngrohtë, të pastër e të vërtetë. Në librin “Andrushi”, shkruan për të treguar e për të ndjerë bashkë me lexuesin e vogël. Aty ku imagjinata nuk ka kufij dhe ndjenjat janë më të çiltra se fjalët.

Një libër që nuk pyet për moshë, sepse edhe të rriturit e gjejnë veten në botën e letërsisë për fëmijë. Ndërsa në botën e Florit, vihet re se letërsia nuk është manual, por një takim dhe përqafim me lexuesit e vegjël. Ky Panair Libri do të jetë një moment i veçantë për autorin e “Andrushit”. Këtë herë, nuk vjen vetëm me një libër, por me një univers të ri krijimtarie, me projekte që do të na surprizojnë në vazhdim. Janë libra që bashkojnë fantastiken me realitetin, dijen me ndjeshmërinë dhe shkencën me shpirtin njerëzor.

Në një kohë ku shumë vepra mund të jenë komerciale, Flori zgjedh një rrugë tjetër, rrugën e vlerës, të përkushtimit dhe të dashurisë për fëmijët. Trashëgimia e letërsisë për fëmijë në duart e tij është tashmë e mbrojtur. Ai shkruan për të mbajtur pranë librit, brezin që po rritet. RevoKult e quan këtë qasje revo-letërsi. Letërsi që guxon të jetë njerëzore, që kthen fëmijërinë në forcë kulturore dhe që e sheh librin si një formë dashurie, jo thjesht e vetëm si objekt leximi.
Flori Kasaj është një prej zërave që po i jep letërsisë për fëmijë një frymë të re. Ky Panair Libri nuk është thjesht një ngjarje për librat e rinj, por një dëshmi se letërsia për fëmijë në Shqipëri po rilind. Fëmijët kanë nevojë për libra që u flasin me dashuri dhe dashuria është gjithmonë revolucionare.

