Kryetari i Bashkisë Shijak: Falë mbështetjes së Kryeministrit Rama, Shijaku po transformohet!

Kryetari i Bashkisë Shijak: Falë mbështetjes së Kryeministrit Rama, Shijaku po transformohet!

Shijaku po përjeton një transformim të dukshëm, me investime dhe projekte që përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve dhe zhvillojnë infrastrukturën e qytetit.
Në një bisedë ekskluzive, kryetari i Bashkisë Shijak ndau arritjet e mandatit të tij të parë dhe projektet që janë në vazhdim për të përmirësuar cilësinë e jetës në qytet.

“Shijaku ka një zhvillim të dukshëm në shumë drejtime gjatë këtyre viteve. Falë mbështetjes së Kryeministrit Rama kemi realizuar investime që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Rindërtimi pas tërmetit, asfaltimi i rrugëve, investimet në arsim me godina të reja për nxënësit, mbështetja e familjeve në nevojë, pallatet për të pastrehët dhe nxitja e punësimit për të rinjtë kanë qenë prioriteti ynë,” shpjegon kryetari.

Ai thekson se disa nga projektet më përfaqësuese, si rindërtimi pas tërmetit dhe investimet në rrjetin e ujësjellësit, nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen direkte të qeverisë dhe Kryeministrit. Sipas tij, çdo hap i ndërmarrë ka pasur për synim përmirësimin e shërbimeve bazë dhe rritjen e cilësisë së jetës për banorët.

Qytetarët kanë luajtur një rol kyç në procesin vendimmarrës. “Projektet tona fillojnë pas dëgjesave publike dhe takimeve që zhvillojmë në çdo lagje dhe fshat. Shumë nga idetë që kemi zbatuar kanë ardhur pikërisht nga këto takime me komunitetin,” thekson kryetari.

Ndër projektet që vijojnë, Bashkia fokusohet në sistemimin e familjeve të pastreha në banesa të reja, asfaltimin e rrugëve kryesore si Eminas-Çizmeli-Shetel dhe zgjerimin e investimeve në infrastrukturë. Një pjesë e rëndësishme e strategjisë mbetet edhe mbështetja e të rinjve me mundësi të reja dhe ndihma për familjet në nevojë.

“Jemi të vendosur që, me mbështetjen e Kryeministrit Rama, të vazhdojmë ta çojmë Shijakun në një nivel tjetër zhvillimi. Ky është një bashkëpunim që po jep rezultate konkrete për çdo lagje dhe fshat. Shijaku do të vazhdojë të zhvillohet me ritme të mira falë vizionit të përbashkët për të ardhmen e qytetit tonë,” përfundon kryetari i Bashkisë.