PREMIERË NË DURRËS – “BAD DROP” MBËRRIN NË QKF MË 13 DHJETOR

PREMIERË NË DURRËS – “BAD DROP” MBËRRIN NË QKF MË 13 DHJETOR

13 dhjetor 2025, Qendra Kulturore e Fëmijëve në Durrës do të shndërrohet në skenën e një prej premierave më të fundit të kinemasë shqiptare për këtë sezon. Filmi “BAD DROP”, i xhiruar tërësisht në qytetin e Durrësit, do të shfaqet në dy orare, në orën 18:00 dhe 20:00, duke i dhënë publikut mundësinë të përjetojë një histori të mbushur me mister, tension dhe lojë të dyfishtë.

Në qendër të ngjarjes është rikthimi i një gruaje misterioze pas shumë vitesh mungesë. Ajo mbërrin në qytet me një sekret që mund të përmbysë ekuilibrat e botës së nëndheshme dhe të rrëzojë gjithçka që është ndërtuar në heshtje. Ndërkohë, një shkëmbim i rrezikshëm mes dy grupeve kriminale del jashtë kontrollit: malli zhduket, paratë humbasin dhe dy miq fajësohen për tradhëti.

Në këtë spirale tensioni, Lisa, figura më enigmatike e filmit, luan një lojë të dyfishtë të rrezikshme. Ajo manipulon liderët e grupeve rivale dhe ndez një konflikt të egër që askush nuk ka fuqinë ta ndalojë. Përplasja mes besimit dhe tradhtisë, mes forcës, hakmarrjes dhe një dashurie të humbur, e çon historinë drejt një pike ku maskat bien dhe askush s’mund të fshehë më të vërtetën.

BAD DROP” vjen si një thriller dramatik, i ngarkuar me atmosferë, emocione të forta dhe sekrete që dalin në sipërfaqe pikërisht atëherë kur personazhet mendojnë se i kanë varrosur përgjithmonë.

Filmi sjell në ekran aktorë të njohur si Behar Mera, Bujar Asqeriu, por gjithashtu dhe aktorë si Eni Gurra, Ardit Kabali,Viola Nova, Margent Caushi, Erion Lleshaj dhe shumë të tjerë, duke krijuar një kast të fuqishëm që i jep historisë intensitet dhe autenticitet.

Më 13 dhjetor në QKF Durrës, ora 18:00 dhe 20:00 – “BAD DROP” hap dyert për publikun, duke e kthyer qytetin bregdetar në vendin ku tensioni, misteri dhe e vërteta përplasen fuqishëm në ekran.