YLL LIMANI – TSN

YLL LIMANI – TSN

Me një ndjeshmëri që tejkalon kufijtë lokalë dhe një estetikë që flet gjuhën e skenës ndërkombëtare, Yll Limani është në prag të publikimit të albumit të tij të dytë, “THIRRËM SOT OSE NESËR”, që do të publikohet më 18 dhjetor 2025. Projekti përmbledh 16 këngë dhe vjen si një rrëfim i sinqertë i dy viteve të fundit të jetës artistike dhe personale të këngëtarit, një kaos emocional i filtruar përmes introspeksionit, pritjes dhe guximit për të thënë gjithçka pa rezerva.

Albumi ndërtohet mbi idenë e thirrjeve që nuk ndodhin gjithmonë në kohën e duhur, të historive që mbeten pezull dhe të ndjenjave që rikthehen pa paralajmërim. “Sot ose nesër” nuk është vetëm një titull, por një gjendje mendore, hapësirë mes shpresës dhe lamtumirës së butë, mes ecjes përpara dhe kthimit të kokës pas, edhe vetëm për një çast. Është një album që nuk kërkon përgjigje të menjëhershme, por i lejon dëgjuesit të qëndrojë në pritje, ashtu siç qëndrojnë ndjenjat e papërfunduara, janë këto disa “hinte” të dhëna nga Yll Limani për dëgjuesit e paduruar.

Në mesazhin e ndarë me ndjekësit, Yll Limani nuk premton një përvojë të vetme apo një emocion të paracaktuar. Ai e lë albumin të hapur për interpretim. Mund të zgjojë kujtime, të ndryshojë humorin e ditës apo të prekë vende të brendshme që nuk priten. Ajo që mbetet konstante është ndershmëria e procesit krijues, një projekt i ndërtuar “me krejt zemrën”, ku asgjë nuk është lënë pa u thënë.

Edhe gjuha vizuale që shoqëron albumin ndjek të njëjtën linjë emocionale. Imazhet e publikuara krijojnë një univers kinematik, ku drita, errësira dhe hapësirat e boshatisura ndërthuren me figura njerëzore në pritje, në lëvizje apo në përballje me vetveten. Ato duken si fragmente nga xhirime videoklipesh, por në thelb funksionojnë si simbole të gjendjeve të brendshme që albumi eksploron: izolim, reflektim, tension dhe çlirim.

“THIRRËM SOT OSE NESËR” shënon një kapitull të ri në rrugëtimin artistik të Yll Limanit, duke e pozicionuar atë jo vetëm si një zë të rëndësishëm të skenës shqiptare, por si një artist që ndërton narrativa universale, të kuptueshme për këdo që ka pritur, ka shpresuar apo ka dashur pa afate të sigurta.

Me publikimin që po afrohet, albumi pritet të jetë një përvojë e plotë emocionale, një thirrje e hapur për sot, për nesër, dhe për çdo moment kur muzika bëhet mënyra e vetme për të folur.