Libri më i ri i autorit Aldo Mustafa
Që prej paradites së 22 dhjetorit, romani për fëmijë “Shtegu i Dritave Magjike, Kodra e Kujtimeve” i autorit Aldo Mustafa nën kujdesin e Botime Univers ka dalë zyrtarisht në shitje dhe është tashmë i disponueshëm në të gjitha libraritë. Libri mund të blihet drejtpërdrejt në librari, të porositet online, ose të kërkohet me porosi të veçantë edhe në ato pika shitjeje ku ende nuk ndodhet fizikisht në raft, duke u mundësuar lexuesve ta sigurojnë lehtësisht kudo që ndodhen.
Letërsia për fëmijë rrallëherë arrin të flasë me kaq ndjeshmëri për emocionet e vështira pa i rënduar lexuesit e vegjël. Me romanin e tij më të ri për fëmijë, “Shtegu i Dritave Magjike, Kodra e Kujtimeve”, Aldo Mustafa ndërton një rrëfim të butë dhe thellësisht njerëzor, ku dhimbja e humbjes shndërrohet në një udhë drejt kujtesës, shpresës dhe dashurisë. Është një histori që nuk i shmang emocionet e forta, por i përqafon ato me delikatesë, duke u ofruar fëmijëve një hapësirë të sigurt për t’i kuptuar dhe përjetuar.
Në qendër të tregimit janë Andi dhe Sendi, dy fëmijë që, pas humbjes së maces së tyre të dashur Lea, nisen në një udhëtim të pazakontë mes reales dhe fantastikes. Ky udhëtim nuk është thjesht aventurë, por një proces i brendshëm shërimi, ku imagjinata bëhet mjet për të ruajtur kujtimet dhe për t’u përballur me mungesën.

Një botë tematike e ndërtuar mbi ndjeshmëri
Siç vëren edhe pedagogia dhe studiuesja e letërsisë për fëmijë, Alma Dema, romani trajton me kujdes tema thelbësore për botën emocionale të fëmijëve. Humbja shfaqet si pikënisje e rrëfimit, por jo si fund; ajo hap rrugën drejt një kuptimi më të thellë të dashurisë dhe kujtesës. Kujtimet shndërrohen në burim drite, të materializuara përmes figurës poetike të “Yllthave të kujtimeve”, të cilat ndriçojnë aq sa janë të bukura kujtesat që mbajnë.
Recencë e librit “Shtegu i Dritave Magjike, Kodra e Kujtimeve”
Autori: Aldo Mustafa
Recensoi: Alma Dema, pedagoge dhe studiuese e letërsisë për fëmijë
“Shtegu i Dritave Magjike, Kodra e Kujtimeve”, është një rrëfim i ndjerë, i ndërtuar mbi emocionin e humbjes, fuqinë e kujtimeve dhe magjinë që mbartin lidhjet e thella mes fëmijëve dhe botës së tyre imagjinare. Libri përqendrohet te dy personazhet kryesorë, Andi dhe Sendi, të cilët përjetojnë një udhëtim të pazakontë pasi humbin macen e tyre të dashur, Lean. Përmes një kombinimi të ndjeshëm mes realitetit dhe fantazisë, autori krijon një univers të butë dhe poetik, i cili flet drejtpërdrejt me botën emocionale të fëmijëve.

- Tematika dhe motivet
Libri eksploron disa tema qendrore:
a) Humbja dhe përballja me dhimbjen: Humbja e maces Lea është pikënisja e rrëfimit. Përmes ëndrrave, kujtimeve dhe udhëtimit magjik, fëmijët mësojnë ta përballojnë mungesën jo me frikë, por me dashuri dhe kujtime të ruajtura.
b) Kujtesa si burim dritë: Koncepti i “Yllthave të kujtimeve”, që ndriçojnë sipas bukurisë së kujtesave të njerëzve e kafshëve, është një metaforë e fuqishme për rolin që kujtimet kanë në formimin emocional të fëmijëve. Autori përdor një figuracion poetik dhe të qartë, të kuptueshëm për moshat e vogla.
c) Frika nga harresa: Qenia e “Mjegullës së zezë” përfaqëson frikën ekzistenciale të harrimit. Ajo simbolizon ndjenjat e trishtimit, ankthit apo pasigurisë që mund t’i errësojnë kujtimet e bukura nëse nuk ruhen.
d) Forca shëruese e imagjinatës: Fantazia në libër nuk është thjesht zbavitje; ajo është mekanizëm mbrojtës. Përmes botës magjike, Andi e Sendi gjejnë mënyrën për të mbajtur gjallë Lean dhe kujtimet me të.
- Struktura dhe gjuha
Libri ka një strukturë episodike: hyrje, udhëtimi magjik, shpjegimi i botës së yjeve dhe kujtimeve, rreziku, dhe misioni i fëmijëve.
Gjuha është e butë, e pastër dhe e kuptueshme për fëmijët 6–10 vjeç, e shoqëruar me përshkrime imagjinare që zgjojnë vizualitet të fortë (si dritat e veriut, yllthat që pluskojnë, insektet shkëlqimthe).
Dialogët janë të natyrshëm dhe pasqyrojnë mendimin spontan të fëmijëve.
- Elementet artistike
a) Simbolika
Dritat e Veriut janë simbol i shpresës dhe lidhjes mes botës fizike dhe asaj të kujtimeve.
Yllthat e kujtimeve është metaforë për delikatesën dhe bukurinë e kujtesës.
Mjegulla e zezë, personifikon harresën dhe trishtimin.
b) Ton emocional
Toni i librit është i ngrohtë dhe empatik, pavarësisht prapavijës së dhimbshme. Autori arrin të ruajë balancë mes ndjeshmërisë dhe aventurës, duke mos i rënduar fëmijët me dramë të tepruar.

c) Vlera edukative
Libri ka një vlerë të qartë psikologjike dhe edukative, sepse:
- ndihmon fëmijët të kuptojnë humbjen,
- i nxit të flasin për emocionet,
- i mëson se kujtimet nuk zhduken nëse kujdesesh për to,
- promovon dashurinë për leximin (shfleto “librat” për të gjetur përgjigjen!).
- Mesazhet kryesore
- Kujtimet e bukura na mbajnë të lidhur me ata që kemi humbur.
- Fantazia është ura që i ndihmon fëmijët të kuptojnë realitetin.
- Të kujtosh është një akt dashurie.
- Emocionet, edhe ato të vështirat, janë pjesë e natyrshme e rritjes.
- Vlerësimi kritik
Libri është një kombinim i suksesshëm mes përrallës moderne dhe rrëfimit emocional. Autori përdor elementë të njohur të letërsisë fantastike për t’i shërbyer një teme delikate në mënyrë të butë dhe të përshtatshme për fëmijë. Ngjarja është e rrjedhshme, personazhet janë të ndërtuar me butësi dhe përkushtim, ndërsa bota magjike e “Rrugës së qumështit” i jep tregimit një dimension kozmik, poetik dhe mbresëlënës.
Nëse ka një dobësi të vogël, ajo lidhet me gjatësinë e disa përshkrimeve që mund t’i lodhin lexuesit shumë të vegjël, por kjo kompensohet nga vizualiteti i fortë dhe mesazhet e qarta.
“Shtegu i Dritave Magjike, Kodra e Kujtimeve” është një libër i ndjeshëm, imagjinar dhe emocionalisht i pasur, që u flet fëmijëve për dashurinë, humbjen, kujtesën dhe shpresën. Vepra është e përshtatshme jo vetëm për fëmijë, por edhe për prindër dhe edukatorë që duan t’i ndihmojnë të vegjlit të kuptojnë emocionet komplekse përmes rrëfimit.

