Në ambientet e Galeria e Artit Pamor “Nikolet Vasia” është çelur ekspozita “Magjia e Dhjetorit”, një ngjarje artistike që vendos në qendër imagjinatën dhe ndjeshmërinë e fëmijëve. Në këtë ekspozitë marrin pjesë 30 nxënës, të cilët prezantojnë 30 piktura të frymëzuara nga atmosfera dhe festat e fundvitit.

Secila vepër përfaqëson botën emocionale të autorëve të vegjël, ku ngjyrat, format dhe temat festive shndërrohen në tregime vizuale plot fantazi. Përmes pikturave, fëmijët sjellin interpretime të lira dhe personale të gëzimit, shpresës dhe magjisë që shoqëron këtë periudhë të vitit.

Ekspozita përbën një risi për Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia”, e cila gjatë këtij viti ka promovuar vazhdimisht iniciativa dhe ekspozita të reja artistike. “Magjia e Dhjetorit” renditet ndër risitë e vitit, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes aktive të të rinjve dhe nxitjen e krijimtarisë artistike që në moshë të hershme.

Nën kurimin dhe përgatitjen e Alketa Tragaj, kjo ekspozitë dëshmon se arti mbetet një mjet i fuqishëm edukimi dhe shprehjeje, duke i dhënë zë brezit të ri dhe duke pasuruar jetën kulturore të qytetit të Durrësit.

