“Shtegu i Dritave Magjike, Kodra e Kujtimeve” është një libër i mrekullueshëm për fëmijë, por jo vetëm për ta. Një tregim që na rikthen te fuqia e kujtimeve dhe na kujton se, edhe kur përjetojmë humbje, njerëzit dhe momentet e bukura mbeten gjithmonë me ne. Mjafton të kërkojmë në “yllkthat e kujtimeve” për t’i sjellë sërish pranë zemrës sonë.
Autori paraqet një tregim të magjishëm, ku fëmijët fantazojnë, udhëtojnë nëpër botë magjike, dashurojnë librat dhe frymëzohen të lexojnë. Si mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, theksoj se kjo e fundit është tepër e rëndësishme për një fëmijëri të plotë e të lumtur.
Andi dhe Sendi, vëlla e motër, së bashku me dashurinë për macen e tyre Lean, na mësojnë se kujtimet e bukura dhe njerëzit e dashur qëndrojnë përjetë të rrënjosur thellë në zemrën tonë. Herë pas here, na duhet vetëm pak “pluhur yjesh” për t’i zgjuar ato.
Përveçse një libër mbërthyes, vepra shquhet për gjuhën e mrekullueshme që përdor autori, një gjuhë e pasur dhe e kulluar, një shqipe që jo vetëm tregon, por edhe mëson. Ngjarja rrjedh natyrshëm dhe me ritëm, ndërsa fëmijëve u sqarohet çdo njohuri e re që përftojnë, duke u shpjeguar me kujdes detajet e nevojshme nga bota magjike e Andit dhe Sendit.
Në pritje me padurim për serinë e rradhës nga “Zhyl Verni” shqiptar, Aldo Mustafa…
Klea Cërri – Mësuese e gjuhës shqipe & letërsisë

