Princ Leka II martohet me Blerta Celibashin

Princ Leka II martohet me Blerta Celibashin

Princ Leka II është martuar me Blerta Celibashin. Princi i ka dhënë fund beqarisë në një ceremoni private, duke hapur një kapitull të ri në jetën e tij personale.

Lajmi u bë publik nga Oborri Mbretëror Shqiptar, ndërsa bashkë me të u publikua edhe fotografia zyrtare e çiftit. Fotoja është realizuar në Kështjellën Apponyi në Sllovaki, një vend i zgjedhur për të nderuar trashëgiminë e Mbretëreshës Geraldinë dhe origjinën e saj hungareze.

Pas martesës, Blerta Celibashi do të mbajë mbiemrin e familjes Zogu dhe titullin Princeshë e Shqiptarëve.

Princ Leka, 43 vjeç, dhe Blerta Celibashi, 27 vjeç, e bënë publike lidhjen e tyre rreth një vit më parë. Çifti shpalli fejesën në tetor të vitit të kaluar dhe e festoi në mënyrë private në Ksamil.

Blerta është fotografe dhe merret kryesisht me fotografi dasmash. Ndërkohë çifti jeton në Tiranë dhe gjatë muajve të fundit ka qenë i angazhuar me përgatitjet për martesën.

Historia e tyre e dashurisë nisi pak kohë pas ndarjes së Princ Lekës nga ish-bashkëshortja, aktorja Elia Zaharia. Martesa mes tyre u zgjidh zyrtarisht nga Gjykata e Tiranës më 25 prill të 2024, pas konflikteve të vazhdueshme dhe ndërprerjes së bashkëjetesës.

Pavarësisht polemikave që shoqëruan ndarjen, marrëdhënia e Princ Lekës me Blerta Celibashin u bë gjithnjë e më e dukshme. Ata u shfaqën së bashku në disa aktivitete publike dhe evente ndërkombëtare, ndërsa lidhja e tyre u konfirmua zyrtarisht pas disa muajsh spekulimesh.