Fondet publike për startup-et dhe sipërmarrjet e reja duhet të shërbejnë për të mbështetur idetë më të mira, inovacionin dhe sipërmarrjen e re. Por, sipas Nikola Kedhit, mënyra se si po shpërndahen këto fonde ngre shqetësime serioze për transparencën dhe barazinë e konkurrencës.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Kedhi kërkon transparencë të plotë mbi aplikantët, kriteret e vlerësimit, vendimmarrësit dhe përfituesit e fondeve publike, ndërsa deklaron se Partia Demokratike po monitoron çështjen dhe do ta ndjekë deri në fund.
Më poshtë, reagimi i plotë i Nikola Kedhit:
“Fondet publike për startup-et duhet të mbështesin idetë më të mira, inovacionin dhe sipërmarrjen e të rinjve. Ndërkohë, duke injoruar, braktisur, skualifikuar qindra apo mijëra të rinj që e meritojnë vërtetë, është ngritur një skemë e mbushur me favorizime, shkelje rregullash, konflikt interesi dhe përfitues të përsëritur. Nëse çdo gjë është në rregull, mjafton që institucionet të bëjnë transparencë.
Miliona lekë të taksapaguesve shqiptarë shpërndahen përmes skemave publike. Për këtë arsye transparenca duhet të jetë absolute, veçanërisht mbi ata që kanë aplikuar, kriteret e vlerësimit, vendimmarrësit dhe arsyetimin e përzgjedhjes së fituesve.
Shpërndarja e parave publike dhe këto skema dëmtojnë jo vetëm buxhetin e shtetit, por edhe qindra të rinj sipërmarrës që konkurrojnë me ndershmëri dhe presin një shans të barabartë.
Partia Demokratike po e monitoron, ka analizuar me ekipet e saj çdo rast të pretenduar për shkelje përgjatë verës dhe do ta ndjekë këtë çështje padyshim deri në fund.
Çdo rast i dokumentuar i shkeljes së ligjit, konfliktit të interesit apo shpërdorimit të fondeve publike duhet dhe do të marrë përgjigje institucionale dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi.
SPAK do të duhet të zgjohet nga gjumi e të bëjë atë për të cilën është krijuar. Boll mbylli sytë para çdo afere.
Ndërkohë ne mirëpresim të gjithë sipërmarrësit e ndershëm, të rinj ose jo, për të trajtuar së bashku në mënyrën më të mirë këtë fenomen dhe çdo shqetësim apo problematikë tjetër. Liria e sipërmarrjes, tregu vërtet i lirë dhe konkurrenca e ndershme janë për ne prioritet absolut.
Asnjë qytetar shqiptar, asnjë i ri e asnjë sipërmarrës i ndershëm nuk është më vetëm përballë këtij sistemi të kalbur. PD-në e kanë në krahë, në mënyrë të paekuivok.
Paratë e qytetarëve nuk janë pronë e qeverisë. Çdo qindarkë do të duhet të justifikohet. Shumë shpejt do vijë dita kur kjo transparencë do bëhet.”
Reagimi i Nikola Kedhit vendos në qendër nevojën për transparencë dhe konkurrencë të ndershme në përdorimin e fondeve publike, duke kërkuar që çdo pretendim për shkelje të verifikohet dhe, nëse provohet, të pasohet nga përgjegjësi institucionale.
