Në një moment kur historia e Kosovës është sërish në qendër të vëmendjes, këngëtarët Algert Saladhe Jet sjellin një këngë që, është shkruar dy vite më parë, por sot merr një tjetër kuptim.
“GATI TU” është bashkëpunimi muzikor që do të konkurrojë në festivalin “Akordet e Kosovës”, i cili do të zhvillohet në RTK më 30 dhe 31 tetor.
Kënga vjen me një mesazh të lidhur me gatishmërinë, forcën, qëndresën dhe kujtesën historike. Në një postim në Instagram, Sala tregon se kënga është shkruar shumë kohë përpara zhvillimeve të fundit në Hagë dhe se nuk e kishte parashikuar se do të prezantohej pikërisht në një periudhë kaq të ndjeshme.
“Kur e shkrova këtë këngë, dy vite më parë, nuk e dija se çfarë do të na priste sot. E shkrova për të qenurit gati. Për ushtrinë e lirë. Për luftën, forcën dhe mbi të gjitha, për të mos u dorëzuar.” – Algert Sala
Mesazhi i këngës merr një rezonancë të veçantë pas zhvillimeve të një dite më parë në Hagë, ku procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së dhe vendimet e Gjykatës Speciale kanë rikthyer në diskutimin publik një prej kapitujve më të ndjeshëm të historisë së Kosovës.

Pikërisht në këtë klimë, “GATI TU” synon të funksionojë jo vetëm si një krijim muzikor, por edhe si një mesazh solidariteti dhe kujtese.
“Ajo vjen si një thirrje, si një mbështetje, si një mesazh. Një këngë që, përtej muzikës, do të lidhet gjithmonë me historinë, sakrificën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, shkruan Sala.
Kënga do të marrë kështu skenën e “Akordet e Kosovës”, në një festival që e vendos muzikën dhe krijimtarinë në një hapësirë ku historia, identiteti dhe emocionet kolektive shpesh ndërthuren.
Me “GATI TU”, Algert Sala dhe bashkëpunëtori i tij, synojnë të sjellin në festival një këngë të shkruar dy vite më parë, por që zhvillimet e sotme i kanë dhënë një aktualitet të ri.

