Autore- Lubjana Malaj
Shqipëria në vitet e fundit ka njohur një zhvillim të madh të turizmit për shkak të pozitës shumë të favorshme gjeografike dhe bukurive natyrore që vendi disponon. Por a mund të qasen të gjithë ndaj këtij turizmi dhe a është lehtë i aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuar? Vendi jonë është shndërruar në një atraksion turistik për vendas dhe të huaj, por shumë atraksione turistike nuk janë të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuar.“Persona me aftësi të kufizuara” janë individët që kanë dëmtime afatgjata fizike (aftësi e kufizuar në lëvizje, në shikim, në dëgjim, në shikim, në dëgjim, në të folur), mendore, intelektuale ose ndijore, dëmtime të cilat, në bashkëveprim me pengesat e ndryshme, përfshirë ato mjedisore dhe të qëndrimit, mund të pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efikase të këtyre personave në shoqëri, në kushte të barabarta me të tjerët. Në vendin tonë personat me aftësi të kufizuar hasin barriera të cilat, janë pengesa, të cilat nuk lejojnë që personat me aftësi të kufizuar të jetojnë në mënyrë të pavarur, të punojnë, të udhëtojnë, të kenë akses në ndërtesa.
Shqipëria është një vend që ka ratifikuar Konventen e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara që nga viti 2013. Qëllimi i kësaj Konvente është të nxisë, mbrojë dhe të sigurohet që të gjithë personat me aftësi të kufizuar të gëzojnë plotësisht dhe në mënyrë të barabartë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Përkatësisht në Nenin 9 u kërkohet shteteve anëtare që të marrin masat e duhura për të siguruar që personat me aftësi të kufizuar të kenë akses të barabartë në mjedisin fizik, informacion, transport, objekte dhe shërbime të tjera publike. Një tjetër dokument ligjor i rëndësishëm është Ligji Nr. 93/2014 “Për Përfshirjen Sociale dhe Aksesueshmërinë e Personave me Aftësi të Kufizuara”. Ky ligj ka si qëllim, të përcaktojë përgjegjësinë e të gjitha strukturave publike dhe jopublike, në zbatimin e parimeve të përfshirjes dhe aksesueshmërisë për të zvogëluar, deri në heqje, barrierat për personat me aftësi të kufizuara me qëllim mundësimin e pjesëmarrjes së tyre të barabartë në shoqëri. Por ligji 93/2015 “Për turizmin” nuk ka asnjë dispozitë për aksesin në turizëm për personat me aftësi të kufizuar. Përballja me mjedisin fizik dhe me shërbimet është një realitet krejt ndryshe. Zbatimi i këtyre ligjeve për të garantuar përshtatshmëri në shërbime, në transport, në informacion, mbetet mjaft problematik.
Kur flasim për të drejta dhe barazi për personat me aftësi të kufizuar përveç të tjerave i referohemi pjesëmarrjes së plotë dhe efektive në shoqëri si dhe mjedisit fizik të përshtatur. Ndër të tjera, ata kanë akses të limituar për të marre pjesë në jeten sociale e kulturore, pjesëmarrje në aktivitete sportive dhe mundësi për të gëzuar një jetë familjare. Nëse flasim për mjedisin fizik i referohemi infrastrukturës së përshtatshme për të aksesuar këto mjedise dhe për ti vizituar ato në mënyrë të pavarur. Njerëzit, tërhiqen nga atraksione turistike të cilat kanë dëshirë dhe interes për ti vizitituar. Atraksionet turistike janë vende, objekte apo evenimente të cilat mund të vizitohen nga të gjithë dhe tërheqin vizitorë nga e gjithë bota.
Infrastruktura për vizitimin e atraksioneve turistike shpeshherë janë të papërshtatshme për personat me aftësi të kufizuar duke filluar që tek transporti. Në Tiranë që është edhe kryeqyteti dhe qyteti më i populluar i Shqipërisë transporti publik nuk ofron kushte për personat me aftësi të kufizuar. Nuk ka vende të posaçme për ta ose edhe atëherë kur janë personat e tjerë nuk janë të informuar sa duhet për të liruar vendin që u është dedikuar atyre. Ata kanë vështirësi të përdorin transportin publik sepse pranë stacioneve nuk ka rampë, sinjale akustike dhe tabelë itinerari. Gjithashtu, stacionet e autobusit nuk kanë elementët e përshtatshmërisë dhe vështirësojnë lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar. Taksitë si pjesë e transportit publik nuk janë të përshtatshme për të ofruar një shërbim për personat me aftësi të kufizuar dhe ata nuk mund ti aksesojnë ato vetem dhe e kanë të nevojshme të jenë në shoqërinë e dikujt tjeter.
Në kryeqytetin e vendit nuk kemi mjedise që janë të përshatshme për personat me aftësi të kufizuar, duke filluar që nga baret dhe restorantet të cilat nuk kanë hapësirat e nevosjshme për akomodimin e tyre. Baret dhe restorantet nuk kanë kalime të sigurta, hapësirat e duhura dhe gjerësia midis tavolinave nuk është e aksesueshme për personat me aftësi të kufizuar dhe mungojnë shenjat orientuese. Në shumicen e rasteve, tualetet nuk janë të pajisura me sinjalistiken dhe mjetet e duhura për tu shërbyer personave me aftësi të kufizuar. Rrugët e qytetit nuk janë të pajisura me rampa, në trotuare mungon gjerësia e nevojshme për të ecur personat me aftësi të kufizuar dhe nuk janë të shtruar me materialin e duhur. Në kryqëzime nuk ka një sinjalistikë orientuese dhe shpeshehrë janë vija me reliev të realizuara keq që orientojnë drejt një rruge të rrezikshme dhe mungesa e paralajmërimit për përfundimin e trotuarit.
Semaforët nuk janë të pajisur me sinjale akustike për personat që kanë vështërsi ose nuk shikojnë. Të gjitha këto problematika krijojnë pasiguri, ankth dhe vështërsi për personat me aftësi të kufizuar të dalin dhe të vizitojnë vende të caktuara në mënyrë të pavarur. Shumica e muzeve, galerive të artit në Tiranë janë të paaksesueshme nga personat që kanë vështërsi në lëvizje ose përdorin një karrige me rrota për shkak të mungesës së rampës ose pasjes së një rampe tepër të pjerrët e jo në standartet e duhura teknike. Në shumë raste mungon emërtimi i institucionit në hyrje të ndërtesës, kjo gjë ju shkakton probleme personave me vështirësi në dëgjim. Personave me vështirësi në shikim u mungon informacioni në Braille. Gjithashtu, shkallët nuk përmbushin parametrat e duhura. Shpesh mungojnë parmakët për mbështetje dhe sipërfaqet me reliev që japin informacion në lidhje me fillimin dhe mbarimin e shkallës. Hapësirat publike mund të quhen të përshtatura nëse të paktën një rrugicë i plotëson standartet për përdorim nga ana e personave me aftësi të kufizuar në lëvizje, dëgjim apo shikim. Të gjithë elementët e parkut si p.sh. stolat, tabelat, shtyllat ndriçuese, parkingjet e biçikletave etj, duhet të vendosen në skaj të vendkalimeve që të mos pengojnë personat me vështirësi në lëvizje apo në shikim.
Elementët e përshtatshmërisë nëpër monumente kulturore, parqet kombëtare, muzetë dhe galeritë e artit, për personat me aftësi të kufizuar në lëvizje ose mungojnë tërësisht, ose janë jo në standartet e duhura dhe për këtë arsye të papërdorëshme. Ka pak modele të përshtatshmërisë të realizuara shumë mirë. Për personat me aftësi të kufizuara në shikim, elementët gjenden vetëm në disa raste sporadike dhe aty jo siç duhet. Personat me aftësi të kufizuar në dëgjim kanë nevojë për tabela dhe sinjalistikë, e cila gjithashtu shpesh mungon. Në këto rrethana turizmi për personat me aftësi të kufizuar është jo i përshtatur dhe pengon pjesëmarrjën e plotë dhe efektive të këtij komuniteti në jeten kulturore dhe shoqërore. Përfundime Si rezultat i problematikave të hasura nga personat me aftësi të kufizuara për aksesueshëmërinë në turizëm, rekomandohet një investim më i madh në infrastrukturë. Një investim i tillë do të hapte rrugën për më shumë turistë, por do të promovojë edhe një qasje më të përgjegjshme dhe të drejtë ndaj të gjitha grupeve të shoqërisë me qëllim ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe jo diskriminuese. Masat që duhet të merren janë mundësimi i një mjedis me praninë e shensorëve, rampave, sinjalistikës së duhur. Aksesueshmëri në rrugë, transport, parkim, hapësira publike dhe të përbashkëta për të zhvilluar një jetë të pavarur dhe me të drejta të plota.
Pjesëmarrja e plotë dhe efektive në shoqëri është e mundur vetëm nëse kemi mjedis, transport dhe mjete komunikimi të përshtatura. Muzetë, monumentet kulturore, parqet kombëtare, dhe galeritë e artit, të cilat arrihen nëpërmjet shkallëve, duhen të jenë të pajisura edhe me rampë dhe me sinjalistiken e duhur që mundëson aksesin për të gjithë, edhe për personat me aftësi të kufizuar. Sinjalistika në ndërtesa duhet të vendoset në mënyrë të dukshme që të shihen lehtësisht tabelat me udhëzime për orientimin dhe shfrytëzimin e hapësirave të ndërtuara. Stacioni i autobusit duhet të jetë i pajisur me plane të pjerrëta (rampa), platforma të lëvizshme ose mjete të tjera të përshtatur për ngritje, me qëllim që të lehtësojnë hyrjen e personave me vështirësi në lëvizje. Në çdo rast duhet të rezervohet një numër i caktuar vendesh për personat me aftësi të kufizuara. E rëndësishme është që përshtatshmëria duhet të jetë si hallkat e një zinxhiri, në mënyrë që të mundësohet lëvizja e lirë, e pavarur dhe e sigurtë për personat me aftësi të kufizuar.
Aksesueshmëria në turizëm është shumë e rëndësishme për personat me aftësi të kufizuar sepse ata duhet të sigurojnë një përvojë të këndshme dhe tu jepet mundësia të eksplorojnë destinacionet turistike në mënyrë të pavarur. Mundësimi i infrastrukturës së duhur për personat me aftësi të kufizuar ndikon në zhvillimin më të madh të vendit dhe në shtimin e turistëve. Nga ana tjeter, ndikon në krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe jo-diskriminuese. Është teper e rëndësishme që krahas ngritjes së kapaciteteve të shërbimeve sociale, krahas krijimit të infrastrukturës së përshtatshme të zhvillohen procese konsultuese me vetë personat me aftësi të kufizuar sepse ata janë personat që mund ta përshtasin infrastrukturen në mënyren më të mirë të mundshme.
Biblografia
• Konveta e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar https://adrf.al/images/publications/LIGJi_108-2012 Per_Ratifikimin_e_Konventes_per_te_drejtat_e_personave_me_aftesi_te_kufizuara.pdf
• Ligji nr. 93/2014 “Për Përfshirjen Sociale dhe Aksesueshmërinë e Personave me Aftësi të Kufizuara”https://platforma-pak.al/ëp-content/uploads/2019/03/1.-ligj_nr_93_dt_24_7_2014-converted.pdf
• Ligji 93/2015 “Për turizmin” https://turizmi.gov.al/ëp-content/uploads/2018/02/Ligj_93-2015.pdf
• https://sebashku.org/2024/01/26/turizem-i-aksesueshem-per-personat-me-aftesi-te-kufizuara-ne-tirane/
