Edison Ypi: Hasie dhe Spaç

Edison Ypi: Hasie dhe Spaç

Për ta variacionuar vajtjen, unë dhe nëna ime Hasia, iknim në Spaç për të parë vëllain Eduardin, veç e veç. Këtë herë unë, pas gjashtë muajsh Hasia.

Deri në Milot shkonim me tren.

Nga Miloti në Spaç dhe kthim në Milot, udhëtonim me kamionët që transportonin bakër nga burgu i Spaçit.

Në distancën Milot-Spaç, kamionat e bakrit, nga një katund në tjetrin, merrnin banorët lokalë, me të cilët edhe njiheshin.

Duke qarkulluar me vite në atë rrugë, shoferat e bënin mirë dallimin mes banorëve të zonës dhe armiqve të partisë dhe popullit ardhur nga larg, kërrusur me një trastë në dorë ose në sup me ushqime për të afërmit në burg.

Në kushtet e këtij diskriminimi negativ, nga Tirana në Milot vinim me tren.

Për të vajtur nga Miloti në Spaç prisnim me orë derisa dikush nga shoferat e kamionave të na merrte për një arsye të dyfishtë sa dramatike dhe qesharake: me pare dhe për mëshirë njëkohësisht.

Gjatë një vajtje të tillë në një dite dimri me erë, shi, dhe acar, një kamionist mëshiroi dhe mori Hasien nga Miloti në Spaç. Ku Hasia, priti disa orë para postbllokut kafkian të burgut. U çmall me djalin. U nis për kthim. Për Fat, një tjetër mëshirëmadh e zemërmirë e mori nga Spaçi në Milot, ku arriti pas disa orësh.

Mirpo treni i pasdites kishte ikur.

Priti për ndonjë makinë për Tiranë, a të paktën pak kilometra deri në Laç ku mund ta kalonte natën te disa kushurinj kolonjarë, edhe jeta e tyre plot burgje dhe internime.

Prit e prit Hasia me të zeza ulur mbi një gur të bardhë për ndonjë makinë. Hiç. Asnjë makinë nuk e mori Hasien. Asnjë shofer nuk e mëshiroi tek kthehej nga burgu ku i kishin mbyllur djalin. Syshkabat që vinin nga Spaçi, Mirdita, Mati, jo e jo. Por as vigjilentët që vinin nga Lezha, Shkodra.

U err.

Trafiku qesharak i biçim kamionave u paksua, derisa u asgjësua.

Hasia hodhi sytë rrotull.

Një rimorkjo e shkatërruar, një depo drithi si hangar aeroplanash, kamion i vjetër i braktisur, traktor i shpartalluar, plug i ndryshkur, mbi kodër ca shtëpi fshati nga vinin të lehura, dhe dukej ndonjë tym që herë trashej, herë hollohej, por kurrrë nuk zhdukej.

Pa-ç’pa u afrua te ura e madhe aty afër, te Ura e Zogut. Zuri një qoshe. U ul. U mbështoll me veten e vet.

Heraherës i vinte në vesh një zhurmë makine që afrohej. Asgjë. Ishte vallzimi i erërave të tërbuara të grykës së lumit.

Prit e prit me shpresën se nga Shkodra ose nga Mirdita do vinte ndonjë makinë.

Vetëm ca mirazhe të turbullta rruferash të largëta me bubullima të vonuara. Asgjë tjetër.

Askush s’pati mëshirë për nënën time ta merrte nga Miloti në Tiranë, a të paktën nga Miloti në Laç te kushurinjtë e shumvuajtur.

Hasia e kaloi atë natë dimri me shi dhe erë mbledhur krruspull në qoshen e Urës.

Hasia nuk mund të ketë qënë e vetmja. Me siguri qindra ose mijra nëna të tjera kanë parë tmerr me sy te Ura e Zogut. Çudi si s’i shkelnin me rrota t’i hidhnin në lumë të vdekura. Kishin arsye. S’mund të ndihmonin nënat e armiqve që ktheheshin nga burgjet ku kishin zbrazur trastat për të ngopur armiqtë. I kishin parë nënat e armiqve gjatë pritjeve para postbllokut të Kafkës. Kishin lexuar Zërin e Popullit për ujin që fle dhe armikun që rri zgjuar gjith natën, çarjen e bllokdës me anë të bakrit, e të tjera e të tjera.

Ura e Zogut nuk kishte të dridhura, as kurban në kamare apo themele.

Të dridhurat nga acari, dhe kurban veten e vet, urës së mbretit ja solli Hasia kur te ai qosh i trisht kaloi atë natë Ferri.

Pas pak mbi atë urë do vihet një pllakë përkujtimore.

Pllaka do jetë prej bakri, si minerali që vinte nga Spaçi.

Gjërësia dhe gjatësia e pllakës së bakrit do jenë proporcionale me distancat Milot-Tiranë dhe Milot-Spaç.

Mbi atë pllakë do shkruhet:

Tek ky qosh kaloi një natë dimri mbledhur krruspull mbi një gur Hasia që kur kthehej nga Spaçi vuajti por nuk vdiq.

Në inaugurimin e pllakës prej bakri Spaçi do flasi oratori më i fuqishëm për të cilin presja djeg botën, pika kolapson Universin. Me fjalën e tij të zjarrtë do ua çvoshkë zhguallin e konvencioneve të pranishmëve ai ajo makina që shkep kopertonat nga disku. Publiku do preket aq tepërt nga ura shekullore dhe Hasia e pavdekshme, sa secilit do i rrjedhi nga 1 pikë lot.

Ndërkohë aty rrotull do jem unë i pasigurtë cilin të vras me një kobure kalamajsh.